2007-03-28 19:11:02

Lajme nga bota.


(28.03.07 RV)Duke cituar burime të qeverisë iraniane, televizioni turk ka bërë të ditur se gruaja marinare e arrestuar sëbashku me 14 shokët e saj britanikë, do të lirohet. Ndërkaq, Britania e Madhe ka vendosur të pezullojë të gjitha marrëdhëniet dypalëshe me iranin, deri në lirimin e marinarëve, që sipas Teheranit janë kapur duke shkelur ujrat territoriale iraniane, por sipas Londrës, ata kanë qenë në ujrat irakiane. Sot, zv.admirali britanik, Çarls Stajll tregoi në një konferencë shtypi, provat satelitare se marinarët gjendeshin 1,7 milje detare në brendësi të ujrave territoriale të Irakut. Kryeministri britanik Tony Blair, duke folur në parlament, theksoi se Irani duhet ta ndjejë veten totalisht të izoluar për këtë çështje. Javën e ardhshme, Britania e Madhe do të marrë në dorë kryesinë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.


Dhuna sektare ka përfshirë tashmë krejt Irakun. Teatër i tragjedisë së fundit, pasojë e hakmarrjes së dyfishtë sunite-shiite është Tal Afari, qytet veriperëndimor në kufi me Sirinë. Pas atentatit të djeshëm kundër bashkësisë shiite, në të cilin gjetën vdekjen 75 vetë, gjatë natës janë ekzekutuar edhe 50 të tjerë, kësaj radhe sunitë. Mes ekzekutuesve edhe policë shiitë. Në qytet është vendosur shtetrrethimi e janë arrestuar 18 vetë.


U hap sot në Riad të Arabisë Saudite mbledhja vjetore e Lidhjes Arabe, nga e cila pritet shumë për zbatimin e planit të paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Në prag të takimit, sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs u kërkoi vendeve arabe t’i japin mundësi më të mëdha shtetit hebraik. Por Xhihadi Islamik ka bërë të ditur që tani, se nuk do të pranojë asnjë lloj vendimi që parashikon njohjen e shtetit të Izraelit.








All the contents on this site are copyrighted ©.