2007-03-27 15:43:53

U publikua programi i kremtimeve të Javës së Madhe, që do të kryesohen nga Papa. Më 6 prill ‘Udha e Kryqit’ në Koloseo. Të dielën, më 8 prill, Mesha e Pashkëve dhe Bekimi Urbi et Orbi.


(27.03.2007 RV)Me Javën e Shenjtë ose Javën e Madhe, siç quhej në shekullin IV në Egjeri e siç quhet edhe sot e kësaj dite ndër shqiptarë – përfundojnë Krezhmët e hyjmë në kremtimet e Pashkëve. Zyra e Kremtimeve liturgjike publikoi sot programin e kremtimeve të Javës së Madhe që do të kryesohen nga Ati i Shenjtë.
Java e Madhe do të nisë me të Dielën e Larit, më 1 prillin e ardhshëm, e do të arrijë kulmin me Triditshën e Pashkëve, qendër e gjithë vitit liturgjik.
Në Javën e Madhe, Kisha kremton misteret e shëlbimit: “Vepër e shpërblimit e kryer nga Krishti i cili, duke vdekur, e shkatërroi vdekjen e, duke u ngjallur, na dha përsëri jetë ne të gjithëve”.
Benedikti XVI do t’i kryesojë të gjitha ritet e Javës së Madhe, duke filluar nga 1 prilli i ardhshëm në orën 9. 30 me Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit për të Dielën e Larit e të Mundimeve të Zotit. Kjo datë përkon me Ditën XXII Botërore të Rinisë me temë «Ashtu si ju kam dashur unë, ashtu duajeni edhe ju njëri-tjetrin! », që do të kremtohet në nivel dioqezan. Para se të fillojë proçesioni eukaristik, Ati i Shenjtë do të bekojë larin, palmat e degët e ullinjve, ndërsa në përfundim të proçesionit, do të kremtojë Meshën Shenjte të Mundimeve të Krishtit.
Të Enjten e Madhe, më 5 prill, duke nisur nga ora 9. 30, Shenjtëria e Tij do të kryesojë bashkëkremtimin e Meshës së Bagmit në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë kremtimit do të bekohet vaji i katekumenëve dhe i të sëmurëve. Bashkëkremtimi i Papës me kardinajtë, ipeshkvijtë e meshtarët e pranishëm në Romë do të jetë simbol i bashkimit të ngushtë ndërmjet Kryebariut të Kishës universale dhe bashkvëllëzërve të tij në meshtari.
Triditshja e Mundimeve dhe e Ngjalljes së Zotit, ‘kulm i gjithë vitit liturgjik’ do të fillojë me Meshën e Darkës së Fundit të Krishtit, që Papa do ta kremtojë duke nisur nga ora 17. 30 në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Benedikti XVI do t’u lajë këmbët 12 burrave. Gjatë ritit, të pranishmëve do t’u drejtohet ftesa për të bërë një akt bamirësie si ndihmë për Dispanserinë e Baidoas në Somali. Shuma që do të mblidhet do t’i dorëzohet Atit të Shenjtë në çastin e paraqitjes së dhuratave.
Të Premten e Madhe, më 6 prill, në orën 17. 00, Shenjtëria e Tij do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Kremtimin e Mundimeve të Zotit me ritin e Adhurimit të Kryqit e pastaj, në mbrëmje, në orën 21. 15, Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseo, në përfundim të së cilës do të përshëndesë besimtarët dhe do të japë bekimin e tij apostolik. Sivjet Meditimet e Udhës së Kryqit janë përgatitur nga imzot Gjanfranko Ravazi, prefekt i Bibliotekës Ambroziane.
Të Shtunën e Madhe, me 7 prill, në orën 22. 00 Benedikti XVI do të kryesojë kremtimin e Natës së Pashkëve në Bazilikën e Vatikanit. Sipas traditës, kjo natë në të cilën Krishti u ngjall njihet si ‘Nëna e të gjitha netëve të lutjes’, prandaj edhe kalohet në uratë. Kisha rri zgjuar duke pritur Ngjalljen e Zotit me kremtimin e sakramenteve fillestare të jetës së krishterë. Kremtimi do të nisë me ritin e bekimit të zjarrit të ri në tremen e Bazilikës, pasuar nga Mesha shenjte e kryesuar nga Benedikti XVI.
Më 8 prill, Solemniteti i Pashkëve, në orën 10. 30, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës në Sheshin e Shën Pjetrit e më pas, nga lozha qëndrore e Bazilikës, do të japë Bekimin ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’.
Fillon kështu “Koha e gëzueshme’ e Rrëshajëve, kur Kisha kremton praninë e Krishtit të ngjallur dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt. Këtë vit Pashkët, ndërmjet tjerash, përkojnë me ditëlindjen e Atit të Shenjtë që pikërisht më 16 prill mbush 80 vjet: tri ditë më pas, më 19 prill, mbushen dy vjet nga fillimi i papnisë së Benediktit XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.