2007-03-27 17:28:34

Lajme nga bota.


(27.03.07 RV)Së paku 19 vetë kanë humbur jetën në atentate të ndryshme në Bagdad e 10 të tjerë në shpërthimin e një bombe në Ramadi. Në këtë qytet të fundit po zhvillohen luftime ndërmjet fiseve lokale sunite dhe militantëve të Al Kaidës, përgjegjës për sulme të shumta të përgjakshme në rrethin e Al Anbarit. Ndërkaq, qeveria e Bagdadit e ka shtyrë edhe për një muaj gjendjen e emergjencës së shpallur në nëntor të vitit 2004. Ushtria amerikane ka deklaruar sot, se ka kapur dy krerë të një organizate të specializuar në sulme me autobomba, të cilët janë përgjegjës për vrasjen e rreth 900 vetëve vetëm gjatë nëntorit të kaluar. Të dyshuarit janë kapur javën e kaluar në veri të Bagdadit.


Në Egjipt, pjesa më e madhe e atyre që iu afruan kutive të votimit, i tha “po” reformës kushtetuese të propozuar nga presidenti Hosni Mubarak për t’i bërë ballë terrorizmit. Sipas opozitës kanë qenë edhe më pak, por edhe sipas vetë ministrit të drejtësisë, pjesëmarrja në votim ka qenë shumë e ulët, 27,1% e zgjedhësve. Për forcat e opozitës, amendamentet e votuara me referedum kanë për qëllim të konsolidojnë pushtetin e presidentit e, në veçanti, të sigurojnë zgjedhjen e djalit të Mubarakut në postin e të atit, kur ky i fundit të largohet nga detyra.


Australiani Dejvid Hiks, i burgosuri i parë i burgut famëkeq të Guantanamos, që del para gjyqit ushtarak, sot u deklarua fajtor. Faji: furnizim me materiale për terroristët. 31-vjeçari Hiks akuzohet se ka luftuar për Al Kaidën në Afganistan gjatë ndërhyrjes amerikane në vitin 2001. Ai ndodhet në Guantanamo që prej më shumë se 5 vjetësh. Dënimi, që do të vendoset ditët e ardhshme, do të zbatohet në një nga burgjet e Australisë, sipas Ministrisë së Jashtme të vendit. Protestat e australianëve kundër mbajtjes së zgjatur në burg të Hiksit kanë ulur ndjeshëm popullaritetin e kryeministrit konservator Xhon Houard, pak muaj para zgjedhjeve federale.







All the contents on this site are copyrighted ©.