2007-03-27 16:36:57

Benedikti XVI falënderon kardinalin Ruini dhe përshëndet pasardhësin e tij në KII, imzot Banjaskon.


(27.03.2007 RV)Këtë e bën me dy letra drejtuar atij që u largua, pas një mandati të gjatë, nga drejtimi i Kishës italiane dhe atij që sapo e ka nisur këtë detyrë plot përgjegjësi.
Në letrën drejtuar kardinalit Ruini, nënshkruar me dorën e vet, Benedikti XVI i shpreh mirënjohjen e sinqertë e të thellë për shërbimin e gjatë e të frytshëm, në krye të Konferencës Ipeshkvnore Italiane.Nuk mund të mos e bashkojmë zërin tonë me atë të Atit të Shenjtë, duke kujtuar se Konferenca Ipeshkvnore italiane, e drejtuar nga kardinali Kamilo Ruini, ishte nga të parat që vrapoi, në mënyra nga më të ndryshmet, ta ndihmonte Kishën e vogël motër të Shqipërisë, e cila delte nga perskutimi i egër komunist me tempuj të rrenuar, me kler të masakruar, me inteligjiencë të rrafshuar. E ndihmoi duke i dërguar ndihma materiale për ndërtimin e kishave të reja, meshtarë ‘fidei donum’, në pritje të përgatitjes së klerit të ri vendas, nga të cilët pastaj u shuguruan edhe tre ipeshkvij, me akordimin e bursave për qindra të rinj, e jo vetëm katolikë, për të formuar kështu inteligjiencën e re të Shqipërisë. E duhet kujtuar edhe se kardinali Ruini ishte disa herë personalisht në Shqipëri, për të parë nga afër nevojat e Kishës e të vendit e për të përuruar përfundimin e projekteve kishtare e shoqërore, sidomos në fushën e arsimit e të shëndetësisë, për të cilat kishte dhënë ndihmën e tij të pakursyer, sidomos për shugurimin e Kishave të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.