2007-03-26 18:09:01

Propozimi i Ahtisarit mbi Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Mbështetje nga Ban Ki-Mun e SHBA-të.


(26.03.07 RV) RealAudioMP3 SHBA-të mbështesin plotësisht planin e Ahtisarit për një pavarësi të mbikqyrur për Kosovën. Përsëritja e qëndrimit të Uashingtonit bëhet sot në Bruksel nga ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Nikolas Bërns.
Gjatë një konference për shtyp, Bërns theksoi se pritet që Këshilli i Sigurimit të dalë me një rezolutë për Kosovën në verën e këtij viti. Diskutimet mbi propozimin e Ahtisarit do të jenë të ndërlikuara për shkak të qëndrimit të Rusisë e të Kinës, të cilat kanë kërkuar një zgjidhje, që t’u pëlqejë si serbëve, ashtu edhe kosovarëve. SHBA-të dhe Bashkimi Evropian kanë filluar një punë diplomatike me të dyja këto vende për të evituar përdorimin e vetos në Këshillin e Sigurimit.


Po sot, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka marrë në dorëzim propozimin për statusin e Kosovës. Zëdhënësi i Ahtisarit, Remi Durlò ka deklaruar se nuk dihet akoma nëse plani do të bëhet i njohur për publikun, pavarësisht se shumë pjesë prej tij janë madje publikuar tashmë nga gazeta të ndryshme. Pritet që Ahtisari të ftohet në prill në Këshillin e Sigurimit për të diskutuar me anëtarët, propozimin e tij, megjithëse nuk është caktuar një datë zyrtare për këtë. Rekomandimin e Ahtisarit për pavarësi, me një periudhë tranzicioni të mbikqyrur nga bashkësia ndërkombëtare, e ka mbështetur plotësisht edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun.
Ndërkaq, dipllomatë nga SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe Rusia, anëtarë të Grupit të Kontaktit, do të mblidhen të mërkurën në Londër për të diskutuar mbi problemin e Kosovës.







All the contents on this site are copyrighted ©.