2007-03-26 18:16:16

Lajme nga bota.


(26.03.07 RV)“Asgjë e re”: kështu e hodhi poshtë presidenti i Iranit, Ahmadinexhad rezolutën e re të Këshillit të Sigurimit, e cila ashpërson sanksionet kundër Republikës Islamike. Programi bërthamor i Teheranit do të vazhdojë. Ndërkaq, Evropa i mban shpresat në bisedën telefonike ndërmjet përfaqësuesit të saj për politikën e jashtme, Havier Solana dhe atij iranian për programin bërthamor, Ali Larizhani, për të rifilluar diskutimin e çështjes në nivelin diplomatik. Ndërkaq, Irani mban 15 britanikë të akuzuar për shkelje të ujrave territoriale, pavarësisht nga thirrjet e vazhdueshme për t’i liruar, edhe nga ana e vendeve arabe.


Ministrat e jashtëm të Lidhjes Arabe të mbledhur në Riad të Arabisë Saudite vendosën sot të mbështesin planin saudit për paqen me Izraelin, të hartuar në vitin 2002, “në formën e tij fillestare dhe pa amendamente”. Plani i ofron Izraelit lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në këmbim të tërheqjes nga të gjitha territoret arabe të pushtuara në luftën e vitit 1967. Gjithashtu, Izraeli duhet të lejojë krijimin e një shteti palestinez dhe kthimin e refugjatëve. Në vitin 2002, Izraeli nuk e pat pranuar planin, por kryeministri aktual Ehud Olmert ka deklaruar se ai është një bazë e mirë fillestare. Vendimi i ministrave të jashtëm arabë duhet të ratifikohet tani nga mbledhja e krerëve të Lidhjes Arabe, e cila do të mbahet më 28 e 29 mars, po në Riad.


Sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs ndodhet sot në Aman të Jordanisë, ku ka pasur bisedime të veçanta me mbretin Abdallah II të Jordanisë dhe me presidentin palestinez Abu Mazen, në përpjekjen për të gjetur mbështetje për planin e paqes për Lindjen e Mesme. Abu Mazen ka kërkuar bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin, për çështje thelbësore e jo vetëm për çështje humanitare apo për sigurinë. Në zonë ndodhet edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, i cili është takuar me kryenimistrin izraelit, Olmert.


Në Egjipt u mbajt sot referendumi për ndryshime në Kushtetutën e vendit. Qeveria e Kajros ka deklaruar se 34 amendamentet e propozuara, janë pjesë e reformave në procesin politik, por opozita dhe grupet për të drejtat e njeriut vlerësojnë se këto ndryshime do ta largojnë vendin nga demokracia.


Janë së paku 100, talebanët e vrarë gjatë luftimeve të fundit të ushtrisë së NATO-s dhe asaj afgane në jug të Afganistanit. Pas 20 ditë nga fillimi i operacionit Akili, në rrethin e Helmandit është qeveria e Kabulit ajo që jep bilancin zyrtar.








All the contents on this site are copyrighted ©.