2007-03-23 17:40:02

Të ndërtohet Evropa e vlerave, e bashkuar e me rrënjët në traditën e saj të krishterë.


(23.03.2007 RV)RealAudioMP3 Sot në Romë u hap edhe Kongresi i Episkopateve Evropiane, në të cilin marrin pjesë delegacionet e 23 konferencave ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, por edhe përfaqësues të realiteteve dhe lëvizjeve të ndryshme të laikatit katolik.
Për të rikrijuar lidhjet e Evropës me shtetasit e vet, është i nevojshëm kthimi në parimet e zanafillës, në atë traditë të krishterë që përfaqëson pasurinë e saj më të madhe. Për këtë bëri thirrje Kongresi Evropian i COMECE-s (Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian) përqëndruar tek vlerat dhe perspektivat e Evropës të së nesërmes. Punimet i hapi me një çast lutjeje, ipeshkvi i Roterdamit, imzot Adrianus van Luin, Kryetar i COMECE-s. Më pas imzot van Luin theksoi se nganjëherë politika e Bashkimit Evropian të krijon përshtypjen e reduktimit të njeriut në prodhues ose në konsumator, duke harruar se njeriu është edhe qenie shpirtërore e fetare. Të krishterët e Episkopateve Evropiane duhet t’ia kujtojnë vazhdimisht këtë parim institucioneve të Kontinentit të vjetër.
Më pas u lexua mesazhi drejtuar Kongresit nga presidenti i Republikës italiane, Gjorgjio Napolitano, në të cilin theksohej se procesi i integrimit evropian mund të marrë një shtytje të re nga kremtimet e këtyre ditëve. Më pas presidenti italian, duke vlerësuar rolin e Kishës, statusi dhe kontributi i së cilës në dialogun me institucionet evropiane njihet solemnisht në Traktatin Kushtetues – theksoi se Kisha dhe shoqatat me frymëzim fetar duhet ta nxisin fuqizimin e Bashkimit Evropian, duke dëshmuar vlerat më të thella, që janë në bazë të ndërtimit të Evropës së Bashkuar.
Në Kongres foli edhe kryetari i Konferencës ipeshkvnore italiane, imzot Angelo Banjasko, i cili theksoi se Evropa nuk duhet të mjaftohet vetëm me bashkimin ekonomik:
“Që procesi i integrimit të nisur të jetë vërtetë i suksesshëm, duhet që Evropa të njohë rrënjët e veta të krishtera, duke vlerësuar si duhet parimet etike që janë pjesë përbërëse themelore e trashëgimisë së saj shpirtërore, nga të cilat burojnë vetë vlerat e Evropës moderne, pa mohuar laicitetin e shëndoshë të institucioneve evropiane”
Imzot Banjasko përcaktoi katër fushat kryesore, në të cilat Kisha duhet të japë ndihmesën e vet të drejtpërdrejtë. Janë: mbrojtja e jetës njerëzore, e familjes, e të drejtave të prindërve për edukimin e fëmijëve dhe e lirisë fetare, jo vetëm në përmasën individuale, por edhe në përmasën e mirëfilltë institucionale.
Ministri i brëndshëm gjerman, Volfgang Shauble pohoi se duhet shikuar me guxim e ardhmja, por pa harruar asnjëherë rrezikun e humbjes së kulturës, të historisë e të identitetit.
Ndërsa zevendës-kryetari i Komisionit Evropian, Franko Fratini, nënvizoi se laiciteti i shteteve dhe feja e popujve nuk duhen parë në kundërshtim njëri me tjetrën. Prej këndej, i nxiti institucionet evropiane të shënojnë në agjendën e tyre temën e rrënjëve të krishtera të Evropës:
“Dhe ja, së fundi, që tema e rrënjëve të krishtera vë në plan të parë temën e një krishterimi që nuk është nostalgji për të kaluarën, por mendim i gjallë. Një krishtërim që me Papën Vojtila theksoi temën e të drejtave – e me Papën Ratzinger, temën e lirisë, si rrugë dialogu, është plotësisht në shërbim të ëndrrës evropiane e të ardhmërisë sonë”.
Evropa e vlerave, prandaj, nuk është vetëm e interesave ekonomike e politike. Kjo theksohet edhe në bocën e mesazhit të Romës, teksti përfundimtar i të cilit do t’i dorëzohet Këshillit të Evropës të dielën, më 25 mars, në Berlin. Në dokumentin me dhjetë pika, udhëheqësit e Bashkimit nxiten të njohin ato vlera e parime që motivuan Bashkimin Evropian qysh në fillimet e tij, duke nisur nga mbrojtja e jetës dhe e familjes; kërkohet gjithashtu edhe respektimi i të drejtave të Kishave dhe të bashkësive fetare. Mesazhi i Romës mbyllet me një thirrje të fuqishme drejtuar gjithë të krishterëve evropianë që të forcojnë impenjimin e tyre në favor të paqes, të lirisë e të solidaritetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.