2007-03-23 17:41:37

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Turibin e Mogrovejos.


(23.03.2007 RV) Një vit më parë, më 23 mars, gjatë një takimi me kardinajtë në prag të Konçistorit, Benedikti XVI e quajti Shën Turibin e Mogrovejos, ‘model i bariut’, që iu kushtua plotësisht shërbimit të Ungjillit’.
Po kush ishte Shën Turibi?
Turibio Alfonsi, i lindur në gjirin e një familjeje të njohur fisnike spanjolle në vitin 1538, studioi në universitetet më të famshme të Spanjës: në Valladolid, në Salamankë e në Santjago të Kompostelës, ku u doktorua në drejtësi. Si avokat i shkëlqyer, mbreti Filipi II e emëroi gjykatës në Granadë të Spanjës. Por më pas, duke pasur nevojë për një kryeipeshkëv në trojet e pushtuara nga spanjollët në Amerikën Latine, të cilit mund t'i besonte, ia paraqiti papës si kandidatin e vetëm për këtë mision. Sapo i kishte mbushur 42 vjetët, kur u nis për në Limë të Perusë. Gjatë 25 vjetëve të ipeshkvisë në këtë vend, organizoi kishën peruviane në tetë dioqeza dhe ngriti seminarin e parë në Kontinentin amerikan. Mbajti qëndrim të ashpër ndaj priftërinjve që silleshin si pushtues, duke mbrojtur gjithnjë indianët vendas.
E përfundoi shtegtimin e tij tokësor më 23 mars 1606, në një kapelë të vogël në rrethinat e qytetit të Limës, në mes të indianëve, si të donte që të gjithë ta mësonin se i desh varfanjakët e tij deri në fund të fundit. Ishte e Premtja e Madhe. Në sa jepte shpirt, eprori i tij luante në harpë psalmet 116 e 31.
Gjatë shtegtimit në rrugët e Amerikës Latine, pati përshkuar më se 15 mijë kilometra, pati pagëzuar 60 mijë besimtarë, ndërmjet të cilëve, tre shenjtorë: Shën Rozën e Limës, Shën Françesk Solanon e Shën Martinin de Porres.
Motua e Turibit ishte: " Koha është e vetmja pasuri që kemi, prandaj duhet ta llogarisim me kujdesin më të madh". U shpall shenjt më 1726 nga Papa Benedikti XIII.







All the contents on this site are copyrighted ©.