2007-03-23 17:39:27

Në predikimin e tretë të Krezhmëve Atë Kantalamesa theksoi se për të mundur indiferencën e Veriut ndaj Jugut të botës, duhet të jemi solidarë me të varfërit e të uriturit.


(23.03.2007 RV)RealAudioMP3 E vetmja ‘luftë e shenjtë’ që duhet të luftojnë fetë, të bashkuara, në mijëvjeçarin e tretë, është lufta kundër varfërisë, e cila shkakton miliona viktima në botë. Ky ishte, thënë me dy fjalë, thelbi i predikimit të tretë të Krezhmëve, mbajtur në praninë e Papës dhe të Kuries Romake. Predikatari e mori sërisht shtytjen nga ‘Lumnitë’, duke u përqëndruar tek shprehja: “Lum ju që tani keni etje e uri, sepse do të ngiheni” – shkëputur nga Ungjilli i Shën Lukës.
Atë Kantalamesa denoncoi, me figura të gjetura, një nga plagët më të rënda të Planetit, urinë, duke e parë në këndvështrimin e krishterë. Luka – tha predikatari – flet për njerëz të uritur, jo për drejtësi, siç shkruan Shën Mateu, por për bukë. Atëhere - pyeti predikatari – pse këta njerëz, që s’kanë me se ta shuajnë urinë, quhen të lum, në krahasim me të pasurit e ngopur? Na e shpjegon vetë Jezusi me shembëlltyrën e Lazrit të varfër e të Epulonit, të pasurit:
“Epuloni i pasur dhe gjithë të pasurit e tjerë të Ungjillit – shpjegoi predikatari – nuk dënohen pse janë të pasur, por për mënyrën si e përdorin pasurinë e tyre. Në shembëlltyrën ungjillore të Epulonit të pasur, Jezusi na lë të kuptojmë se pasaniku mund të kujtohej për Lazrin, që rrinte te porta e tij e të ndante me të darkën e pasur. Po ai s’desh ta bënte”.
Kështu shpjegohet pastaj britma e Krishtit: “Mjerë të pasurit e të ngopurit’, që nuk është mallkim, por thirrje, sepse Jezusi nuk mallkon askënd.Mund të themi, prandaj, se Ungjilli nuk e fajëson pasurinë, por mënyrën si përdoret nga njerëzit e pasur e nga kombet e pasura, në sa një pjesë e mirë e njerëzimit zhytet gjithnjë më thellë në mjerim. Këtu qëndron edhe aktualiteti i shembëlltyrës.







All the contents on this site are copyrighted ©.