2007-03-23 18:13:49

50 vjet paqe dhe histori e përbashkët: Evropa feston Traktatet e Romës


(23.03.07 RV)RealAudioMP3 50 vjet paqe dhe histori të përbashkët: këtë festojnë vendet e Bashkimit Evropian, duke kujtuar nënshkrimin e dy traktateve që themelonin Bashkimin ekonomik evropian, më 25 mars 1957 në Romë.
Historia e integrimit evropian është një histori me etapa, e cila fillon me objektivin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Evropës Perëndimore për të siguruar paqen. Në vitin 1949, lind Këshilli i Evropës, i cili megjithëse nuk njihej zyrtarisht si institucion, mbronte të drejtat e njeriut, dialogun ndërfetar dhe paqen. Në vitin 1951 lind Bashkimi Evropian i Karbonit dhe i Çelikut. Vërtet bashkon prodhimin e karbonit dhe të çelikut, por fryma që e përshkon i ka rrënjët më të thella: e ka zanafillën në Deklaratën historike Shuman të vitit 1950, me të cilën Robert Shuman, politikan i shquar franko-gjerman, kërkon bashkëpunim dhe paqeRealAudioMP3


Sapo dëgjuat fjalët e tij, të ruajtura sëbashku me ato të “etërve të tjerë themelues”. Ndërmjet tyre, politikani francez Zhan Monè. Shprehet qartë, në fjalët që do të dëgjoni, vullneti i tij për të krijuar një sens të paqesRealAudioMP3

Flet gjermanisht Konrad Adenaueri, por përmbajtja është e ngjashmeRealAudioMP3

Emri i statistit katolik të Gjermanisë përmendet shpesh sëbashku me atë të italianit të shquar, Alçide de Gasperi. Por ndër italianët, të cilëve Evropa u detyrohet shumë, është edhe Altiero Spineli me Manifestin e tij të Ventotenes, tjetër projekt evropian ky, i përshkuar nga fryma e bashkëpunimit dhe e paqes. Ndoshta është vështirë të kuptohet sot se ç’rëndësi kishte përsëritja e vazhdueshme e fjalës “paqe”. Për ta kuptuar, njerëzit do të duhej të uleshin edhe një herë mes rrënojave të Luftës II Botërore, luftë e përgjakshme dhe shkatërrimtare. Gjithsesi, përsa i përket paqes dhe ekonomisë, objektivi për të bashkuar sovranitete të ndryshme kombëtare, është politik.
Në 50-vjetorin që festohet pikërisht të dielën e ardhshme, në të cilën kujtojmë dy Traktatet themeluese të Bashkimit Ekonomik Evropian, atë ekonomik e atë mbi energjinë atomike, objektivi i paqes nuk është arritur plotësisht. Nga viti 1992, Evropa quhet Bashkimi Evropian e jo më thjesht ekonomik; që nga viti 2000 ka një Kartë evropiane të të drejtave themelore; nga viti 2002 ka një monedhë unike e të fuqishme; ka ndërtuar një rrjet shkëmbimi të personave përveç mallrave, por struktura e institucioneve nuk e ka rëndësinë politike që duhet të ketë.
Luftërat e Ballkanit, në vitet e para ’90, përfaqësojnë një dështim apo disfatë të rëndë: Evropa nuk është në gjendje të sigurojë paqen as pak përtej kufirit të saj. Kuptohet se nevojitet më tepër forcë politike. Në vitin 2003, lufta në Irak i vë vendet anëtare para një udhëkryqi. Opinioni publik marrshon për paqen me një zë të vetëm e me pjesëmarrje masive, që bëjnë përshtypje, në të gjitha kryeqytetet evropiane. Si pasojë, Evropa e qeverive përçahet: Spanja e Aznarit, Italia e Berluskonit, Britania e Madhe e Toni Blerit përqafojnë linjën e ndërhyrjes amerikane. Franca dhe Gjermania mënjanohen, në një klimë tensioni të lartë. Edhe aty, bëhet gjithnjë e më e dukshme ndarja ndërmjet popujve dhe krerëve, ndarje, që e ushqyer edhe nga çështje të tjera si rreziku i një zgjerimi të tepruar apo informacioni të paktë, sjell “jo”-në e popullsive të Francës e Hollandës ndaj Traktatit Kushtetues evropian, në vitin 2005. Kjo perceptohet si dush i ftohtë nga krerët e shteteve e të qeverive dhe në fakt, pezullon në një pauzë reflektimi prej dy vjetësh, atë që ndërkohë është bërë gjiganti evropian me 27 anëtarë.
Në vitin 2004 hynë në Bashkimin Evropian 10 vende e dy të tjerë në fillim të vitit 2007. Kështu, evropianët që i referohen Brukselit arrijnë në 485 milion persona e bëhen një prani domethënëse në botë. E nënvizoi këto ditë edhe kryeministri italian Romano Prodi, i cili ka qenë president i Komisionit Evropian:
RealAudioMP3 Jemi struktura më e madhe ekonomike e botës dhe kemi përgjegjësi të rëndë për të ardhmen e politikës e të ekonomisë botërore. Deri tani, nuk kemi mundur ta ushtrojmë sa duhet këtë përgjegjësi, për shkak të përçarjeve. Tani fillon një periudhë, në të cilën Evropa duhet të hyjë në mënyrë organike e të qëndrueshme ndër liderët e politikës dhe të ekonomisë botërore. Në politikën e jashtme, e ka kuptuar edhe populli i thjeshtë se mungesa e pranisë evropiane i ka sjellë dëme të vërteta paqes.
Flet qartë për këtë presidenti i parlamentit evropian, Hans PëteringRealAudioMP3

Bashkimi Evropian është në një fazë vendimtare – shpjegon Pëtering – duke paralajmëruar se mbledhja e 25 marsit 2007 do të dalë me një Deklaratë Solemne, që do të shërbejë si bazë pune për të rifilluar procesin e Traktatit Kushtetues evropian. Sepse paqja nuk ushqehet vetëm me ekonomi, por edhe me politikë.








All the contents on this site are copyrighted ©.