2007-03-22 18:26:00

Raport i Këshillit të Episkopateve të Bashkimit Evropian mbi vlerat e kontinentit.


(22.03.07 RV)Nesër fillon në Romë, Kongresi i Komeçes, Këshillit të Episkopateve të Bashkimit Evropian, i cili i kushtohet 50-vjetorit të Traktateve të Romës. Sot në Sallën e Shtypit për gazetarët e huaj u paraqit raporti mbi përmasën etike të Bashkimit Evropian, hartuar nga një grup të urtësh, i përbërë nga 25 personalitete të zgjedhura për profilin e tyre europeist e të krishterë.
Në shtatë kapitujt e raportit të titulluar “Evropa e vlerave”, grupi i të urtëve, i ngarkuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore, merr në shqyrtim vlerat konkrete e të afirmuara në gjirin e Bashkimit Evropian, si ato që kanë të bëjnë me paqen e lirinë, afrimin ndërmjet popujve evropianë dhe atyre jo evropianë, fuqinë ekonomike dhe përgjegjësinë ndërkombëtare, solidaritetin brenda Bashkimit Evropian e me pjesën tjetër të botës. Pavarësisht se mbetet problem mospërmendja e rrënjëve të krishtera të Evropës në tekstin kushtetues, askush nuk dyshon për lidhjen thelbësore ndërmjet vlerave evropiane e vlerave të krishtera. Evropa nuk ka prodhuar vetëm euron – u theksua në paraqitjen e sotme të raportit – por edhe rregulla që e detyrojnë të shprehë vlera si solidariteti ndërkombëtar, t’u japë mundësi të barabarta të gjitha shteteve, pavarësisht se mbeten hapësira ku Brukseli nuk mund të ndërhyjë, si familja e bioetika. Mbi to, nënvizoi presidenti i Komeçes, imzot van Lin, Kisha vigjëlon me objektivin për të qenë gjithnjë ndërmjetësuese e dinjitetit të njeriut e të së mirës së përbashkët të Evropës.







All the contents on this site are copyrighted ©.