2007-03-22 17:16:02

Në Ditën botërore të ujit, Papa kërkon të drejta të barabarta për të gjithë.


(22.03.2007 RV)Sot, në Ditën botërore të ujit, Papa bëri thirrje që mbarë familja njerëzore të gëzojë drejta të barabarta në shfrytëzimin e kësaj pasurie kaq të domosdoshme për jetën.
Uji është një e drejtë e patjetërsueshme – thekson Papa në mesazhin për Ditën botërore të ujit me temë “Të përballohet zija e ujit”, që u kremtua sot në Romë me një Konferencë ndërkombëtare organizuar nga Fao. Ishte i pranishëm edhe imzot Renato Volante, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Oganizatës së Kombeve të Bashkuara për bujqësinë e ushqimin.
“Të ruhet çdo pikë uji” ishte motua e kësaj Dite botërore, kremtuar në atmosferën e krizës hidrike që peshon mbi jetën e 1 miliard e 100 milion njerëzve, të cilëve u mungojnë edhe 20 litrat e ujit të domosdoshëm për të pirë, për të gatuar e për të siguruar higjienën e përditshme.Problemi i shfrytëzimit të kësaj pasurie kuptohet mirë në ato vende ku uji ndërpritet, vjen me pakicë ose mungon fare, sidomos në stinën e nxehtë që po afrohet. E shqiptarët janë ndërmjet atyre që e kuptojnë shumë mirë parullën e kësaj dite.







All the contents on this site are copyrighted ©.