2007-03-22 18:31:11

Lajme nga bota.


(22.03.07 RV)Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun arriti sot në Bagdad, për një vizitë të papritur. E menjëherë pas takimit me kryeministrin Nuri al-Maliki provoi përvojën e hidhur të jetës në Irak. Gjatë konferencës së përbashkët të shtypit, një bombë që shpërtheu vetëm 50 metra larg nga salla, e trembi keq dhe e detyroi gati të fshihej poshtë podiumit, nga ku po fliste. Kjo është vizita e parë e Ban Ki-Mun në Irak, që nga dita e marrjes së detyrës. Ndërkaq, trupat amerikane dhe ato irakiane kanë arrestuar sot në Bagdad 31 persona të dyshuar dhe kanë konfiskuar kontejnerë me materiale kimike toksike, përfshirë edhe klor. Gjatë këtij viti, në disa sulme, kryengritësit kanë përdorur klor.


Bisedimet e gjashtëshes mbi programin bërthamor koreanoverior, pasi rifilluan të hënën në Pekin, janë pezulluar zyrtarisht sot. Paradite delegacioni i Piongiangut është larguar nga tryeza e bisedimeve, me motivacionin se nuk janë zhbllokuar akoma 25 milion dollarët e depozituar nga regjimi në një bankë të Makaos. Sipas koreanoveriorëve, amerikanët nuk e kanë mbajtur premtimin.


Organizata humanitare Amnesti Interneshënëll i ka kërkuar sot qeverisë amerikane të heqë dorë nga komisionet ushtarake, dhe t’ua nënshtrojë të burgosurit e burgut famëkeq Guantanamo proceseve në Gjykata e zakonshme federale, madje pa parashikuar dënimin me vdekje. Këto Komisione ushtarake veprojnë në një lloj boshllëku ligjor. Të akuzuarit nuk mund t’u referohen normave të së drejtës ndërkombëtare, apo Konventës së Gjenevës e madje as Kushtetutës amerikane. Komisionet janë pjesë e një sistemi, që nuk parashikon asnjë lehtësi juridike për të burgosurit dhe familjet e tyre. Edhe nëse një i akuzuar do të shpallej i pafajshëm prej tyre, ai mund të vazhdojë të konsiderohet “luftëtar armik” dhe të mbahet në burg për një kohë të pacaktuar.


Ndeshje të reja në Mogadisho të Somalisë, pas betejës së djeshme ndërmjet trupave qeveritare, të mbështetura nga forcat etiope, dhe bandave të milicëve besnikë ndaj Kohorteve islamike. Bilanci i djeshëm qe 22 të vdekur. Ndeshje me armë po zhvillohen edhe në pjesë të tjera të vendit, duke e detyruar kryeministrin somal të kërcënojë se do të fillojë një ofensivë të gjerë kundër milicëve islamikë.








All the contents on this site are copyrighted ©.