Ati i Shenjtë porosit: ‘Në kujdesin për të sëmurët duhet të na udhëheqë gjithnjë dashuria
e Krishtit’.
(22.03.2007 RV)Në mjekimin e të
sëmurëve dëshmojmë dashurinë e Hyjit. Puna baritore në fushën e shëndetësisë është
një veprimtari thellësisht ungjillore e të kujton menjëherë kujdesin e Krishtit, Samaritanit
të mirë, për njerëzimin. Këtë nëvizoi Benedikti XVI gjatë audiencës së sotme me pjesëmarrësit
në mbledhjen plenare të Këshillit Papnor për baritorinë e punonjësve të shëndetësisë,
që nisi të martën e kaluar e përfundoi sot në Domus Sanctae Marthae në Vatikan. Papa
kujtoi posaçërisht se Jezusi e shoqëronte gjithnjë predikimin e vet me shërimin e
të sëmurëve, mësim ky gjithnjë aktual: “Shëndeti i njeriut ishte një shenjë
që Jezusi e zgjodhi për të treguar afërsinë me Hyjin, dashurinë e tij përdëllyese,
që shëron shpirtin e korpin. Kjo, të dashur miq, duhet të jetë gjithnjë pika themelore
e referimit tuaj në çdo nismë: ecja në gjurmët e Krishtit, të cilin ungjijtë na e
paraqesin si mjek hyjnor”. Kështu u shpreh Ati i Shenjtë, i cili më pas porositi
që në mjekimin e të sëmurit të vlerësohet parimi etik natyror i detyrës, mbi bazën
e të cilit duhet mbrojtur çdo jetë njerëzore. Ky parim –shtoi Papa – ripohohet e fuqizohet
nga urdhërimi i dashurisë, zemër e mesazhit të krishterë. Prandaj Ati i Shenjtë, duke
kërkuar nga punonjësit e krishterë të shëndetësisë ta lidhin ngusht cilësinë e shërbimit
të tyre profesional me virtytin e dashurisë, nënvizoi: “Pikërisht duke e kryer
mirë punën e tyre, ata e bëjnë të dukshme mes njerëzve dëshminë e dashurisë së Krishtit”. Më
pas, duke kujtuar se historia e Kishës është plot me dëshminë e kësaj dashurie, Papa
u kujtoi punonjësve të krishterë të shëndetësisë Eukaristinë: “Pikërisht tek
Eukaristia – tha Papa - punonjësit e shëndetësisë mund të marrin vazhdimisht
forcë për ta ndihmuar vërtetë njeriun. Në spitalet e në shtëpitë e mjekimit, Kapela
është zemra që rreh, në të cilën Jezusi i dhurohet pambarimisht Atit qiellor për jetën
e njerëzimit”.