2007-03-22 17:16:59

Aleksandër Moisiu: në 72-vjetorin e vdekjes.


(22.03.2007 RV)Aleksandër Moisiu lindi në qytetin e Durrësit në vitin 1879. I jati ishte nga Kavaja, e ëma arbëreshe.
Vitet e fëmijërisë i kaloi në Durrës, ku mori edhe mësimet e para, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Grac të Austrisë, ku ishte vendosur familja. Në vitin 1889 nisi studimet në Konservatorin e Vjenës dhe u ngjit për herë të parë në skenën e Burgteatrit të kryeqytetit austriak, ndërsa në vitin 1902 mori statusin e aktorit në Teatrin gjerman të Pragës. Më 1904 u thirr në Berlin nga regjisori i njohur për kohën Maks Reinhar. Në fillim interpretoi role të dorës së dytë, por shumë shpejt talenti i tij shpërtheu dhe e bëri të radhitej ndërmjet aktorëve më të shquar gjermanë. Rolin e parë të madh e luajti në filmin "Fati i zi", i cili së bashku me filmin "Studenti i Pragës" njihen si filmat e parë gjermanë me metrazh të gjatë. Roli i Moisiut u vlerësua nga kritika e kohës dhe që nga ai çast aktori me orgjinë shqiptare fitoi famë botërore. Pas rolit të dytë të rëndësishem në filmin "Sytë e Ole Brandis", Moisiu realizoi edhe 16 role të tjera. Është gjithashtu ndër aktorët e parë që interpetuan në filmin pa zë. Vdiq papritur në Lugano të Zvicrës më 22 mars 1935, në kulmin e lavdisë e të planeve për të ardhmen.
Gjatë ceremonisë mortore në krematoriumin e Vjenës, më 22 mars 1935, përpara kufomës së Aleksandër Moisiut u ‘luajt’ një skenë shumë prekëse. Aktori i famshëm Baserman nxori nga gishti unazën e Iflandi, krijuar në kujtim të aktorit, regjisorit dhe dramaturgut të shquar gjerman, August Ifland (1759-1814), mik i Gëtes dhe Shilerit, drejtor i Teatrit mbretëror deri në vitin 1814, që e mbanin në gisht aktorët më të mirë, dhe e përshkoi në gishtin e vdekur të Aleksandrit, duke i thënë: “Po ta lë ty unazën e Iflandit”. Ishte shprehje e dashurisë dhe e respektit që gëzonte Aleksandër Moisiu në botën e artit skenik. Në Shqipëri Moisiu është nderuar me titullin "Artist i Popullit", pas vdekjes. Që nga viti 1987 emrin "Aleksandër Moisiu" e mban çmimi i madh që u jepet në Shqipëri veprave dhe autorëve të shquar të vitit në fushën teatrit dhe të kinematografisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.