Evropa e bashkuar, ide e krishterë. Papët dhe udha drejt Bashkimit Evropian në 50-vjetorin
e nënshkrimit të Traktateve të Romës.
(21.03.2007 RV)Në javën
gjatë së cilës kremtohet 50-vjetori i Traktateve të Romës, po sintetizojmë mendimin
e Papëve, nga Piu XII tek Benedikti XVI, që folën, shkruan e punuan për ndërtimin
e shtëpisë së përbashkët evropiane. “Asgjë nuk humbasim me paqen. Gjithçka mund
të humbasë me luftën”! Është data 24 gusht 1939 kur Piu XII i drejtoi njerëzimit këtë
thirrje të fuqishme. Mbi Kontinentin e vjetër frynte era e luftës e Papa Paçeli i
bëri thirrje forcës së arsyes, shpirtit të Evropës, vepër e fesë dhe e gjenisë së
krishterë. Përvoja dramatike e Luftës II Botërore ndikoi përfundimisht mbi vizionin
e Papës Paçeli për bashkimin evropian. Piu XII kërkoi që të krishterët të jenë protagonistë
në ndërtimin e një Evrope të re. Ta dëgjojmë thirrjen e tij në radiomesazhin për Krishtlindjen
e vitit 1953: “Ne i nxisim politikanët e krishterë për veprim brënda vendeve
të tyre. Në se rendi nuk mbretëron në jetën e brëndshme të popujve, është e kotë të
presim bashkimin e Evropës dhe sigurinë e paqen në botë”. Piu XII nisi të
interesohet për ndërtimin e një Evrope federaliste dhe, më 1948, i ftoi të gjitha
kombet evropiane të bashkohen realisht në një federatë të vetme. Gjoni XXIII
eci në gjurmët e Paraardhësit përsa i pëket institucioneve evropiane. Në vitet e vështira
kur u ndërtua Muri i Berlinit dhe, me krizën e Kubës, u ndje rreziku i një krize bërthamore,
Papa Ronkali pohoi me forcë se nuk ishte dakord me ata që e konsideronin të pamundur
sigurimin e paqes. Enciklika Pacem in Terris, botuar në vitin 1963, kujton
vlerën absolute të njeriut dhe dënon ashpër luftën, të cilën e quan krejtësisht të
paarsyeshme. Në Kontinentin e ndarë përgjysëm me perde të hekurt, Gjoni XXIII i bën
thirrje Evropës të mos izolohet, por të jetë solidare me kontinentet e tjera dhe,
me impenjim të fortë ekumenik, kërkon atë që bashkon, e jo atë që ndan. Pali
VI, i zgjedhur më 1963, në stinën konciliare, duke ecur në gjurmët e Piut XII
e të Gjonit XXIII, shpall Shën Benediktin e Norçës Pajtor të Evropës, duke ripohuar
kështu rrënjët e përbashkëta të krishtera të Kontinentit, i cili me kalimin e viteve
dukej sikur po largohej nga parimet dalluese e gjallëruese të qytetërimit të vet.
Ja edhe fjalët që Pali VI ua tha etërve benediktinë të Montekasinos në tetor 1964: “Fakti,
tepër i madh e i rëndësishëm, ka të bëjë me vetë ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e
shoqërisë sonë të vjetër, gjithnjë plot gjallëri, por që sot ka shumë nevojë të thithë
limfë të re nga rrënjët e saj, të cilat i patën dhënë forcë e shkëlqim”. Fillojnë
vitet e zhvillimit të vrullshëm ekonomik, por edhe të komunizmit. Pali VI nuk e humbet
guximin, ndonëse e kupton se janë larg kohët kur, nën Piun XII, Kisha mund të mbështetej
mbi një katolicizëm masiv. Papa Montini, ashtu si Paraardhësi i tij, është i bindur
se bashkimi i Evropës është mjeti më i frytshëm për t’i garantuar Kontinentit paqen
e zhvillimin, koncepte mbi të cilat ngrihet enciklika e tij ‘Populorum progressio’.
Gjatë papnisë së Palit VI, Kisha arrin rezultate me vlerë të posaçme. Në saje të Ostpolitik
të promovuar nga kardinali Agostino Kazaroli, nis të lidhë marrëdhënie diplomatike
me vendet komuniste dhe merr pjesë në Konferencën e Helsinkit për Sigurinë e Bashkëpunimin
në Evropë. Në Aktin përfundimtar, meritë kjo e delegacionit të Vatikanit, përfshihet
parimi i lirisë fetare. Pali VI propozon përsëri që në qëndër të vihet mesazhi i krishterë,
si trashëgimi simbolike e Evropës dhe kërkon nga Kontineti i vjetër ta ndihmojë pa
interes Afrikën. Papnia e Gjon Palit
II pati rëndësi të dorës së parë për fatet e Evropës në fasha. 16 tetori i vitit
1978 shënoi një ngjarje të jashtzakonshme për të gjithë: Pasardhës i Shën Pjetrit
u zgjodh një kardinal katolik nga Polonia, që prej tridhjetë vjetësh nën thundrën
e regjimit komunist. Papa i ri pati vizion profetik edhe për Evropën. Kur askush nuk
besonte se do të shembeshin muret, Karol Vojtila parashikonte një kontinent të ribashkuar
politikisht e sidomos, shpirtërisht. Një Evropë e cila, më në fund, do të mund të
merrte frymë me të dyja mushkëritë. Ishte objektiv që Papa e kërkoi me guxim përmes
gjesteve të fuqishme simbolike: udhëtimeve në Atdhe; shpalljes së Shenjtorëve Çirili
e Metodi bashkëpajtorë të Evropës e akoma, ndihmës që i dha sindikatës Solidarnosh
dhe takimit historik me kryeministrin rus, Gorbaçov më 1989. Pikërisht viti i shembjes
së Murit të Berlinit Papës Gjon Pali II iu duk më i përshtatshmi për të ripohuar rrënjët
e krishtera të Evropës e për të vënë theksin mbi pajtimin ndërmjet katolikëve e ortodoksëve.
Plot entuziazëm, Gjon Pali II thirri Sinodin për Evropën. Tani Kisha duhet të përballonte
sfida të reja: pas shembjes së komunizmit, materializmi e konsumizmi nisën të minojnë
themelet e krishtera të popujve evropianë. Papa foli për përhapjen e çkristianizimit,
fenomen të cilit Kisha duhet t’i kundërvihej me ungjillëzimin e ri bindës. Nga ana
tjetër, Papa Vojtila nënvizoi se vetëm duke rizbuluar trashëgiminë shpirtërore të
Kontinetit të Vjetër, mund të fitohej mbi rilindjen e nacionalzimave që, siç dëshmoi
konflikti në Ballkan, përfaqësojnë një forcë shkatrrimtare, të cilën Evropa duhet
ta ketë mirë parasysh. Ndërkaq procesi i integrimit vijoi deri në adoptimin e
monedhës unike. Papa e përshëndeti me kënaqësi këtë proces dhe i ftoi evropianët të
impenjohen në radhë të parë për bashkimin e thellë të vlerave, duke pasur frikë nga
rreziku i humbjes të kujtesës së krishterë: “Selia e Shenjtë ka qenë gjithnjë
në favor të promovimit të Evropës së Bashkuar mbi bazën e vlerave të përbashkëta,
që janë pjesë përbërëse e historisë së saj”. “Nuk priten rrënjët nga të cilat
ke lindur” – është komenti i hidhur i Papës Vojtila pas miratimit të Hyrjes së Kartës
Kushtetuese Kontinentale, që nuk i përmend rrënjët e krishtera të qytetërimit evropian.
Krishtërimi – vëren - dha një ndihmesë të shquar për formimin e vetëdijes së popujve
evropianë, ‘fakt i pamohueshëm, të cilin asnjë historian nuk mund ta harrojë”. Ngjarje
vërtetë providenciale për Evropën ulja në fronin e Shën Pjetrit e një Pape gjerman,
menjëherë pas Papës polak. Që nga zgjedhja e emrit, Benedikti XVI tregoi sa për zemër
e ka trashëgiminë kulturore të Kontinentit të Vjetër. Është thesar që duhet zbuluar
e vlerësuar, përballë ndikimit të shekullarizimit, të laicitetit që shndërrohet në
laicizëm, dmth në ideologji e cila do të dëshironte ta shlyente elementin fetar nga
jeta publike. Por Kisha – e Papa është i bindur për këtë – ka plotësisht të drejtë
të marrë pjesë gjallërisht në debatin kulturor, sepse interesohet për gjithçka që
ka të bëjë me njeriun: “By valuing its Christian roots, Europe will be able
to give a secure direction to the choices its citizens and peoples…”Në audiencën
me parlamentarët e Partisë Popullore Evropiane, në mars të vitit 2006, Benedikti
XVI numëroi parimet që nuk mund të vihen në diskutim, duke theksuar se mbrojtja e
jetës, e familjes dhe e të drejtës së prindërve për të edukuar fëmijët nuk janë parime
konfesionale, por të shkruara në vetë natyrën njerëzore. Kundër ‘diktaturës së relativizmit’
Benedikti XVI propozon përsëri me forcë humanizmin e ri, që buron nga takimi i fesë
me kulturën. Është ky thelbi i fjalimit mbajtur në Regensburg, gjatë të cilit Papa
u kujtoi popujve evropianë se Evropa lindi pikërisht nga takimi ndërmjet mesazhit
biblik dhe mendimit grek. Krishtërimi lindi në Lindje, por – shpjegoi Benedikti XVI
- gjurmët e tij vendimtare gjinden në Evropë. E dëshmojnë qartë monumentet e famshme,
katedralet madhështore, shtatoret e pikturat me vlera të mëdha artistike, veprat letrare,
nismat kulturore e sidomos shumë ngjarje të bashkësive të veçanta, të cilat pasqyrojnë
bindjet e krishtera, të transmetuara brez pas brezi në Kontinentin e vjetër. E kjo,
sepse mendësia evropiane e pranon më shpejt mesazhin ungjillor. Edhe papnia e Benediktit
XVI, ashtu si e paraardhësit të tij, karakterizohet nga përparimi i ndjeshëm në rrugën
e ekumenizmit. Për Benediktin XVI, rruga drejt bashkimit të të gjithë të krishterëve
është mjet i rëndësishëm për përtëritjen e vetëdijes të Evropës mbi rrënjët e veta,
sepse Evropa e bashkuar është ide kristiane!