Shtatëdhjetë vjet më parë botohej enciklika “Divini Redemptoris” e Piut XI. Me të
dhe me “Mit brennender Sorge” të të njëjtit vit, Papa dënon totalitarizmat e shekullit
të kaluar.
(20.03.2007 RV)Më 19 mars 1937
Piu XI botonte enciklikën “Divini Redemptoris”, letër që denonconte tmerret dhe krimet
e komunizmit. Komunizmi – shkruan Papa – e zhvesh njeriun nga liria e tij, ia zhduk
dinjitetin dhe vetpërmbajtjen morale, duke e nxitur me stimuj të verbër. Pak ditë
pas këtij dokumenti, e pikërisht më 14 mars, me “Mit brennender Sorge”, Papa Ratti
pati qortuar rëndë sjelljen çnjerëzore të ideologjisë naziste. Ftuam në mikrofonin
tonë historianin Pietro Skopola për të na dhënë mendimin e tij mbi vlerën aktuale
të këtyre dy dokumenteve: Përgjigje: -Është atmosfera mjaft dramatike, prelud
i konfliktit të dytë botëror, ajo që karakterizon publikimin e këtyre dy dokumenteve.
Jemi në vigjilje të kësaj ngjarje dramatike, që sundon historinë e shekullit XX e
Papa nuk mund të mos i dënonte me shkrim të dy totalitarizmat, dy “fetë shekullare”:
nga njëra anë, komunizmin me “Divini Redemptoris”, e nga ana tjetër, nazizmin me “Mit
brennender Sorge”. Janë të dyja enciklika të forta; por me atë kundër komunizmit,
që është më e prerë, Papa e damkos këtë ideologji çnjerëzore. Dënimi i Papës Piu
XI është shumë domethënës e, nga ana tjetër, i paraprin një enciklike tjetër, që nuk
u botua, sepse Papa vdiq para se ta shpallte. Është fjala për enciklikën “Humani Genesis
Unitas” kundër relativizmit gjerman. Tani ka dalë përsëri në dritë, në saje të kërkimeve
të kohëve të fundit, kur u hapën Arkivat Sekrete të Vatikanit dhe dokumentet mbi papninë
e Piut XI, deri pak kohë më parë të panjohura, nisen të shfletohen nga studiuesit.
Nga ky studim po zbulohen shumë elemente tepër interesante për historinë e kësaj papnie. Pyetje:
- Ç’ndikim patën këto dy enciklika? Përgjigje: - Patën ndikim të madh
në ato mjedise ku mundën të arrinin, sepse nuk duhet të harrojmë që, si regjimi komunist,
apo socializmi real, siç ishte në Bashkimin Sovjetik, ashtu edhe nacizmi, nuk e lejonin
lirinë e shtypit, nuk e pranonin qarkullimin e lirë të ideve. Vetë ipeshkvijtë e meshtarët,
në homelitë e së dieles, mundoheshin me çdo kusht të mos jepnin lajme që shkaktonin
reagime. E nuk duhet të harrojmë se në Rusi, ashtu si në satelitët e saj, njerëzit
jetonin në atmosferën e persekutimit fetar. Prandaj mund të themi se ndikimi i të
dyja enciklikave u ndje fort në nivelin e klasave drejtuese, që mund të shfrytëzonin
çdo lloj lajmi, por në nivelin e masave popullore u njohën pak e aspak, për shkak
të mungesës së lirisë të qarkullimit të ideve. Pyetje: - Si t’i kuptojmë
këto dy dokumente 40-vjet pas botimit? Përgjigje: - Janë dokumente që ruajnë
vlerën e tyre të madhe, sepse denoncojnë fenomenin e fesë shekullare – këtë pretekst
të politikës për t’u bërë gjithçka në jetën njerëzore, për të thithur në vetvete edhe
përmasën fetare. Dënimi i një ideologjie të tillë pati një vlerë të jashtzakonshme
për kohën kur u bë, por nuk e ka humbur këtë vlerë as sot e mbetet qortim edhe për
të ardhmen. Të dy enciklikat mbeten pikë referimi për vlerat e demokracisë e të lirisë. Pyetje:
- Të dyja enciklikat u botuan njëra pas tjetrës: “Divini Redemptoris” më 14 mars
1937 ndërsa “Mit brennender Sorge” më 19 mars të të njëjtit vit…. Përgjigje:
- Kemi të bëjmë me një simetri, me dëshirën për simetri, që dënimi i totalitarizmit
të së djathtës, nazizmit, të shoqërohej me dënimin e totalitarizmit të së majtës,
komunizmit, duke i vënë në të njëjtin plan, si regjime që pretendojnë të thithin gjithçka
në politikë, ta bëjnë politikën vlerë absolute, me në krye një udhëheqës të vetëm,
që ka pushtet absolut, si Stalini e Hitleri. Pyetje: - Ç’reflektime mund
të bëjmë sot, gjatë leximit të dy enciklikave? Përgjigje: - Po t’i lexosh
sot, të pushton ankthi, kupton sa të tmerrshme qenë tragjeditë e shekullit që lamë
pas shpine, në vigjilje të Luftës II botërore, edhe kjo një nga tragjeditë më të mëdha
që ka jetuar njerëzimi, gjatë së cilës vdiqën 50 milionë njerëz e linden dy totalitarizma,
të cilat mbajnë të njëjtën përgjegjësi për mbytjen e njerëzimit në një det gjaku,
në kushte lufte, si nazimi e edhe paqeje, si komunizmi. Të dy dokumentet vlejnë
edhe për të ardhmen, sepse tregojnë rrugën në të cilën duhet ecur për kapërcimin e
mundshëm të pasojave të dy idelogjive kriminale, që nuk janë zhdukur akoma e të ftojnë
për rivlerësimin e dinjitetit të njeriut. Temat e tyre u zhvilluan më tej nga Piu
XII në mesazhet e tij të famshme gjatë viteve të fundit të luftës, mesazhe që tregojnë
qartë se Kisha radhitet haptazi në anën e demokracisë, si regjim i përshtatshëm për
garantimin e dinjitetit të njeriut.