Shën Jozefi, fati i Virgjërës Mari, Pajtor i Kishës universale.
(19.03.2007 RV)Sot, pra, bashkësia kishtare kremtoi Shën Jozefin, fat i Virgjërës
Mari e Pajtor i Kishës universale. Sipas traditës, në festën e atit të kujtuar të
Jezusit, kremtohet edhe festa e baballarëve. Po kush ishte Shën Jozefi: “Njeri
i drejtë, zbatues i ligjit, me profesion marangoz, që vuajti dramën e amësisë
misterioze hyjnore të Marisë. I lajmëruar nga Zoti në ëndërr, e pranoi me fe planin
e Hyjit. 40 ditë pas lindjes, Jozefi me Marinë e çuan foshnjën në Jeruzalem për ta
paraqitur në tempull e atje takuan plakun Simeon, i cili parafoli një ardhmëri misterioze
për këtë fëmijë. Jozefi e dëgjoi e i besoi përsëri Zotit. Kur Jezusi mbushi 12 vjet,
prindërit e morën me vete në shtegtim drejt Jeruzalemit; e ja se në kthim e sipër,
pa i njoftuar, Jezusi u ndalua në qytet. E ëma e pyeti pse ua kishte shkaktuar këtë
pakënaqësi e Jezusi dha një përgjigje që as Maria e as Jozefi nuk e kuptuan. E Jozefi
uli kokën e u bind. Ky pra është Shën Jozefi: një besimtar që e ka lëshuar plotësisht
vetveten në duart e Zotit. Nganjëherë të krijohet përshtypja se figura e Shenjti
mbetet paksa e fshehur në hagjiografinë klasike. Për Shën Jozefin Ungjijtë dokumentojnë
vetëm heshtjen e kjo po, është e jashtëzakonshme. Nënshtrim absolut para vullnetit
të Zotit, lëshim i plotë i vetvetes në dorën e Zotit, bindje absolute përballë planit
hyjnor të shëlbimit, edhe në gjërat më të natyrshmet, siç është dëshira e atësisë
natyrore. Në këtë Jozefi ishte plotësisht heroik e gati –gati i parapriu përgjigjes
“Po, o Atë!” që do të jepte Jezusi. Ç’vlerë ka figura e tij sot? Koncili
II i Vatikanit ia ka kushtuar kapitullin V të Kushtetutës mbi Kishën thirrjes
të të gjithë të pagëzuarve për të ecur në rrugën e shenjtërisë. E Gjon Pali II, në
Letrën apostolike Tertio Millennio adveniente, propozoi një punë baritore të
zakonshme për promovimin e shenjtërisë. Me fjalën shenjtëri nënkuptonte dhuratën për
të jetuar çdo ditë si bij të Zotit, duke bërë vullnetin e Atit. Shën Jozefi jetoi
pikërisht kështu. E jetoi me besnikëri të jashtzakonshme jetën e zakonshme që i kishte
caktuar Zoti. Figura e Shenjtit është model për baballarët e sotëm. Duhet
të mësojnë nga Shën Jozefi sidomos se bijtë janë dhuratë e madhe e Zotit, se duhen
dashur e nuk duhen sunduar. Kanë nevojë absolute për ndihmë gjatë rritjes, por gjithnjë
duke respektuar lidhjen e tyre me Zotin e me vullnetin e Tij. Në një farë pike, Jozefi
zhduket: ndër Ungjijtë mbetet vetëm Jezusi. Kjo është edhe metafora e atit që pak
nga pak u jep bijve pavarësinë. Madje, duhet t’i ndihmojë që kjo pavarësi të arrihet
sa më mirë që të jetë e mundur.