2007-03-19 18:34:56

Nga Eukaristia burojnë gëzimi dhe dashuria e krishterë: këtë theksoi dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kushtuar “Sacramentum Caritatis”.


(19.03.2007)RealAudioMP3 Dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar si zakonisht në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI kujtoi vizitën e tij të paradites në burgun e të miturve të Kazal Marmos e më pas u ndalua tek Eukaristia “burim i gëzimit të krishterë”. Ati i Shenjtë vuri theksin mbi lidhjen ndërmjet Enciklikës së tij “Deus Caritas est” dhe Nxitjes pas-sinodale “Sacramentum Caritatis” paraqitur të martën e kaluar. Pastaj, duke kujtuar solemnitetin e sotëm liturgjik, Papa Jozef Ratzinger iu lut Shën Jozefit që populli i Zotit ta përhapë gëzimin e paqen në zemrën e mbarë njerëzimit.
Në Eukaristinë, që Krishti na e la si ushqim shpirtëror, gjejmë burimin e gëzimit të krishterë: ky është thelbi i reflektimit të Papës në praninë e mijëra shtegtarëve e besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e së dielës. Ati i Shenjtë kujtoi edhe se liturgjia e së dielës së katërt të Krezhmëve na fton të gëzohemi, sepse afrohet dita e Pashkëve, dita e fitores së Krishtit mbi mëkatin e mbi vdekjen. Nga Eukaristia – pohoi Papa – buron gëzimi i krishterë, gëzimi i dashurisë:
“Eukaristia mban gjallë në zemrat e besimtarëve të të gjitha epokave atë gëzim të thellë, që bëhet një me dashurinë e me paqen e që e ka zanafillën e vet në bashkimin me Zotin e me vëllezërit”.
Papa foli më pas për nxitjen e tij apostolike pas-sinodale “Sacramentum caritatis” me temë “Eukaristia, burim e kulm i jetës dhe i misionit të Kishës”. Ky dokument – tha Benedikti XVI – është shprehje e besimit të Kishës universale në Misterin eukaristik e vijim i ecjes në gjurmët e Koncilit II të Vatikanit e të magjisterit të Gjon Palit II e të Palit VI. Ati i Shenjtë nënvizoi edhe lidhjen ndërmjet nxitjes pas-sinodale dhe Enciklikës së tij mbi dashurinë e krishterë:
“Ja pse zgjodha si titull ‘Sacramentum caritatis’, duke përsëritur përkufizimin e bukur të Shën Tomës së Akuinit, që e quajti Eukaristinë “Sakrament i dashurisë”. Po, në Eukaristi Krishti desh të na dhurojë dashurinë e vet, e cila e shtyu të flijojë jetën në Kryq për ne. Në Darkën e Mbrame, duke larë këmbët e nxënësve të vet, Jezusi na la urdhërimin e dashurisë: “Ashtu si ju kam dashur unë, ashtu duajeni edhe ju njëri-tjetrin!”.
Por, vërejti Papa, me që kjo është e mundur vetëm duke qenë të bashkuar me të, si shermendët me hardhinë, mbeti Ai vetë me ne në Eukaristi, që ne të mbeteshim në Të. Prandaj – vijoi reflektimin Ati i Shenjtë – kur ushqehemi plot besim me Korpin e Gjakun e Tij, dashuria e Tij kalon në ne e na bën të aftë të japim jetën për vëllezërit. Simbol i Gruas eukaristike – shpjegoi Papa – është Virgjëra Mari, kryevepër e hirit hyjnor. Pranë saj, për t’u kujdesur për Shëlbuesin, Zoti vuri Shën Jozefin, solemnitetin liturgjik të të cilit do ta kremtojmë nesër:“I lutem posaçërisht këtij shenjti të madh, pajtorit tim, që duke e besuar, duke e kremtuar e duke e jetuar me fe Misterin eukaristik, Populli i Zotit të mbushet me dashurinë e Krishtit e t’i përhapë frytet e paqes e të gëzimit që buron prej saj në jetën e mbarë njerëzimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.