2007-03-16 16:45:04

Në predikimin e dytë të Krezhmëve, Atë Kantalamesa kujtoi se Ungjilli nuk predikon dhunën, as ligështinë, por butësinë e Krishtit, që fiton zemrat.


(16.03.2007 RV)RealAudioMP3 Lumnitë e Ungjillit janë autoportreti i Krishtit. Prandaj duhet të shikojmë sjelljen e Jezusit, në se duam të kuptojmë ç’do të thotë pastërti, butësi e përvujtëri, e jo shpjegimet e sjelljet e gabuara, shpesh edhe të vetë të krishterëve, që vërehen në epoka të ndryshme historike të njerëzimit. Kështu u shpreh predikatari i Shtëpisë Papnore, Atë Kantalamesa në predikimin e dytë të Krezhmëve, mbajtur në praninë e Benediktit XVI e të Kuries Romake.
Në rrjedhë shekujsh, të krishterët mund të kenë dalë nga hullia e Krishtit, por nuk duhet harruar se burimi – jeta e Jezusit në Ungjill – është e pastër. Prej këndej bindemi se nuk mund të jenë intelektualët e lashtë a të rinj ata, që duhet të na komentojnë ç’do të thotë mesazh i krishterë, e as nuk duhet t’i shpjegojmë mekanikisht e fjalë për fjalë hiperbolat që përdor Jezusi. Mbi këtë bazë atë Kantalamesa shpjegoi Lumninë që thotë: “Lum të butët, sepse do të trashëgojnë tokën”. Krishti nuk e predikoi, por e realizoi këtë lumni, sepse është Ai vetë zemërbuti, i përvujti, i persekutuari e prandaj duhet ta shikojmë pikërisht Atë, për ta kuptuar plotësisht mësimin e Tij. Në traditën e krishterë – tha në vijim Atë Kantalamesa - zemërbutësia shpjegohet gjithnjë së bashku me dy karakteristika të tjera: durimin e përvujtërinë. Ungjijtë dëshmojnë se Jezusi është simboli i duresës e i përvujtërisë deri në provën më të lartë të mundimeve, gjatë të cilave nuk i shau as nuk kërcënoi ata që po e gozhdonin:
“Por Jezusi bëri shumë më tepër sesa të jipte shembullin e zemërbutësisë e të duresës heroike: e bëri zemërbutësinë e mospërdorimin e dhunës simbol të madhështisë së vërtetë. Për Krishtin madhështi nuk do të thotë më të lartohesh vetmitar mbi të tjetrët, mbi masën, por të ulesh për t’u shërbyer të tjerëve e për t’i lartuar të tjerët. Mbi kryq – thotë Shën Agostini – ai na tregon se fitorja e vërtetë nuk është të bësh viktima, por të bëhesh viktimë!”.
Atë Kantalamesa kritikoi filozofin Niçe dhe të gjithë ata që sot duan jo vetëm ta zbusin, por gati-gati ta kristianizojnë atë, që e quajti krishtërimin “moral skllevërish”, sepse ngrihet mbi bazën e ‘kthimit të faqes tjetër, pas goditjes në njërën faqe’, gjë që i dukej ligështi. Por – vijoi predikatari- për ta kuptuar si duhet këtë pohim, ndriçohemi nga i vetmi zë që ngrihet kundër Niçes, ai i filozofit francez René Zhirar:
“Sipas tij, të gjitha këto përpjekje i bëjnë dëm sidomos vetë Niçes. Me një mprehtësi unike për kohën e tij, ai kapi bërthamën e vërtetë të problemit, alternativën e pareduktueshme ndërmjet paganizmit e krishterimit: paganizmi larton flijimin e të ligshtit në favor të të fortit e të ecjes përpara të jetës, krishtërimi larton flijimin e të fortit, në favor të të ligshtit. Vështirë të mos e vëresh lidhjen objektive ndërmjet Niçes e programit hitlerian të zhdukjes së grupeve të tëra njerëzore, në emër të qytetërimit e të pastërtisë së racës”. E pas 11 shtatorit 2001 – vijoi të aktualizonte predikatari – lidhja ndëmjet fesë e dhunës bëhet gjithë më e dukshme, në emër të luftës së shenjtë. Por Krishti – pohoi Atë Raniero Kantalamesa – nuk na fton të rrokim armët për Të. Përkundrazi, na fton të jemi zemërbutë e të përvujtë, siç është Ai vetë. Butësia– përfundoi kapuçini - e ka vendin në zemrën njerëzore, e cila shpesh është teatër ku luhen skena të dhunshme, ku zhvillohen procese me dyer të mbyllura kundër atyre që mendojmë se janë kundërshtarët tanë, por është edhe vendi i dashurisë. E që të jetë gjithnjë e tillë, duhet të kujtojmë lumnitë, autorportretin e Krishtit, të cilit duhet të përpiqemi t’i përngjajmë sa më shumë, duke u bërë një me Zotin.







All the contents on this site are copyrighted ©.