2007-03-15 18:23:31

Rehn në Tiranë: reforma zgjedhore dhe dialog pozitë-opozitë.


(15.03.07 RV)Komisari për Zgjerim i Bashkimit Europian, Olli Rehn filloi sot në Tiranë një turne, që do ta çojë në vendet kryesore të Ballkanit. “Shqipëria duhet të vazhdojë me vendosmëri rrugën e reformave, duke kërkuar një dialog më të madh ndërmjet mazhorancës dhe opozitës”: ky qe mesazhi që Rehn deshi t’u kalojë autoriteteve shqiptare me të cilat u takua sot, duke filluar nga presidenti i Republikës, Moisiu, tek kryeministri Sali Berisha e tek krerët e opozitës.
“Zgjedhjet e fundit të zhvilluara në Shqipëri – theksoi komisari evropian – tregojnë se mazhoranca dhe opozita duhet ta përmirësojnë dialogun mes tyre. Në një demokraci evropiane të përparuar, forcat politike duhet të tregojnë se kanë për zemër interesat e vendit, më parë se interesat e ngushta të partive”.
Rehn theksoi rëndësinë e realizimit të reformës elektorale, të hartimit të një sistemi të besueshëm të gjendjes civile dhe të vazhdimit të luftës kundër korrupsionit e kriminalitetit të organizuar.
Përsa i përket Kosovës, ai sqaroi se Bashkimi Evropian mbështet dokumentin e hartuar nga Marti Ahtisari, për një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme të statusit të saj përfundimtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.