(15.03.07 RV)Është arrestuar pas 4 vjetësh arratisje Andrija Draskoviç, trashëgimtari
shpirtëror i ish-komandantit të trupave paraushtarake serbe Zheljko Raznatoviç, i
mbiquajtur “Arkan”, i cili u vra në Beograd më 5 janar të vitit 2000. 43 vjeç,
me origjinë nga Mitrovica, Draskoviç është arrestuar në aeroportin e Frankfurtit falë
një mandati ndërkombëtar të prokurorisë italiane, ndërsa po kthehej nga Beogradi.
Ai konsiderohet nga prokuroria e Barit si një ndër bosët më të mëdhenj të mafies në
ish-Jugosllavi. Hetimet e autoriteteve të Barit në lidhje me kontrabandën ndërkombëtare
të cigareve dhe pastrimin e parave, përfshijnë edhe ish-presidentin dhe ish-kryeministrin
e Republikës së Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Khalid Sheik Muhamed,
i dyshuar si një nga ideatorët e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës, ka pranuar përfshirjen në to dhe në sulme të tjera të Al Kaidës. Lajmi
njoftohet nga Pentagoni, i cili sqaron se Muhamed i bëri deklaratat e mësipërme gjatë
seancës së mbyllur dëgjimore për të dhe për tre të burgosur të tjerë të burgut famëkeq
të Guantanamos. Muhamed ka pranuar se ka qenë drejtori ekzekutiv i Osama Bin Ladenit.
Ai ka marrë përsipër përgjegjësinë për planifikimin e 28 sulmeve terroriste në
Shtetet e Bashkuara, Britani, Izrael dhe vende të tjera.
Kryeministri
palestinez Ismail Hanijeh paraqiti sot listën e qeverisë së re të bashkimit kombëtar,
për të cilën u arrit mbrëmë marrëveshja ndërmjet partisë Al Fatah dhe organizatës
Hamas. Në platformën e ekzekutivit theksohet se “rezistenca ndaj pushtimit izraelit
është një e drejtë legjitime e palestinezëve”. Më tej, përmendet edhe problemi i ushtarit
izraelit të rrëmbyer, Xhilad Shalit, me të cilin qeveria do të merret në kuadrin e
një shkëmbimi të ndershëm të burgosurish – thuhet në tekst. “Rezistenca – theksohet
më pas – do të përfundojë kur të arrihet pavarësia”. Izraeli ka bërë të ditur se
nuk do të bashkëpunojë me këtë qeveri, pasi parimet e saj politike janë në kundërshtim
me të gjitha kërkesat ndërkombëtare për njohjen e shtetit hebraik, për njohjen e marrëveshjeve
të nënshkruara më parë e për ndalimin e dhunës. Më i kujdesshëm Bashkimi Evropian,
i cili nëpërmjet përfaqësuesit për politikën e jashtme, Havier Solana dhe zëdhënëses
së komisares për Marrëdhëniet me Jashtë, Benita Ferrero-Valdner ka bërë të qartë se
para se të marrë çdo lloj vendimi, dëshiron të njihet me ekzekutivin dhe me detajet
e platformës së tij politike.
Diplomatët përfaqësues të gjashtë fuqive
të mëdha, që bëjnë pjesë në grupin 5+1, kanë arritur një marrëveshje në parim
rreth sanksioneve të reja ndaj Iranit, i cili ka njoftuar disa herë se nuk ka ndërmend
të ndalojë programin e tij bërthamor. Si përgjigje, presidenti iranian Ahmadinexhad
deklaroi se Këshilli i Sigurimit i OKB-së "nuk e ka legjitimitetin" për të imponuar
rezolutat e tij.
Presidenti rus Putin ndodhej sot në Athinë, ku
nënshkroi me Greqinë dhe Bullgarinë marrëveshjen për kalimin e linjave të transportimit
të gazit nga Deti i Zi në atë Egje. Ky projekt, që parashikon ndërtimin e një korridori
prej 280 kilometrash, i jep mundësi Rusisë të transportojë gazin në perëndim, duke
mënjanuar Turqinë.
Pas Francës, edhe Uashingtoni po diskuton për
miratimin e një ligji, që do ta cilësojë genocid vrasjen e afro 1.5 milionë armenëve
rreth një shekull më parë. Sipas dy zyrtarëve të lartë të administratës Bush, siguria
e Shteteve të Bashkuara rrezikohet nga miratimi i një ligji të tillë.