2007-03-15 18:02:21

Ipeshkvi i San Marino-Montefeltre, imzot Luigji Negri, nënvizon pasojat e lidhjes ndërmjet Eukaristisë dhe shoqërisë, që shpjegohen në Nxitjen e Papës “Sacramentum Caritatis”.


(15.03.2007 RV)Siç e tregon titulli Nxitja Apostolike pas-sinodale e Papës mbi Eukaristinë “Sacramentum Caritatis”, i kushtohet Eukaristisë, burim e kulm i jetës dhe i misionit të Kishës. Populli i krishterë e priste këtë Nxitje, në të cilën gjen menjëherë vetveten.
Ky është mendimi që shpreh ipeshkvi i San Marino- Montefeltro, imzot Luigji Negri, i cili nënvizon se vënia e Eukaristisë në qendër të jetës, në lidhje me Kishën e me Sakramentet, ndikon fuqimisht në mjediset shoqërore, ekonomike e politike si dhe në gjithë historinë e njerëzimit.RealAudioMP3
Përgjigje: - Eukaristia është themeli i ekleziologjisë, por edhe i antropologjisë, i përvojës së njeriut që nuk jetohet jashtë kohës, por në histori, në rrethana të caktuara ekonomike, politike, shoqërore, ambientale. Jetohet brënda presionit të një ideologjie sigurisht antikristiane, që sidomos sot është e fortë dhe e përhapur në mbarë botën. Ja, pra, se nga kjo pikëmbështetje eukaristike lind një vizion i përshtatshëm për njeriun e për realitetin e tij e, prej këndej, mund të themi se ka një lidhje të ngushtë ndërmjet Eukaristisë e shoqërisë. Është lidhja ndërmjet Eukaristisë e atyre që, duke jetuar në gjirin e shoqërisë, marrin mbi vete barrën e rëndë ta çojnë këtë antropologji të përshtatshme, siç do të thoshte Gjon Pali II, në gjirin e jetës shoqërore. Ja pse askush nuk duhet të shkandullohet në se qendërsia e Eukaristisë ka pasoja të ndjeshme të karakterit shoqëror mbi jetën e familjes, mbi përgjegjësinë e saj, mbi të drejtat edukative. S’ka pse të shkandullohet askush, në se ai që kremton Eukaristinë nuk mund të lejojë miratimin e ligjëve, të cilat i kundërvihen antropologjisë personale e familjare, buruar nga Eukaristia. Prandaj unë besoj se duhet t’i jemi mirënjohës Papës për këtë rrugë që na çon nga Eukaristia në jetën shoqërore, ose me fjalë më popullore, nga feja tek veprat.
Pyetje: - Imzot Negri, sipas jush a ka rrezik që kjo Nxitje apostolike të keqinterpretohet nga njerëzit e thjeshtë, të cilët mund të mendojnë se kështu Krishti largohet nga kërkesat e tyre më të zakonshme, nga jeta e përditshme?
Përgjigje: - Unë besoj se në këtë Nxitje do të gjejnë Krishtin që nuk largohet nga jeta e njerëzve, e njerëzve tanë të cilët – siç e tha edhe Papa në Kongresin e Veronës – janë të lidhur ngusht me Kishën. Ky është një mësim që populli i krishterë e priste dhe e pret, sepse në të gjen atë që kërkonte, gjen vetveten. Natyrisht pastaj ky popull duhet edukuar nga ipeshkvijtë e meshtarët. Ndërkaq besoj se Jezusi largohet edhe më tepër nga ata që janë prej kohe larg Krishtit, nga ata që do të dëshironin një Krisht e një Kishë, e cila përkon me mendësinë sunduese. Ne barinjtë, e posaçërisht ne, duhet të shqetësohemi për popullin e jo për mendësinë e mjeteve të komunikimit. E kemi fare të qartë se mjetet e komunikimit do ta gjykojnë negativisht këtë dokument, ashtu siç kanë bërë edhe me dokumente të tjera të këtij Pape e të paraardhësve të tij. Por kjo nuk na shqetëson, në sa shqetësimi ynë i vërtetë është ta bëjmë këtë Nxitje thelb të një katekizmi të vërtetë, të një pune të vërtetë baritore.
Pyetje: - Imzot Negri, shoqëria civile mund t’i bëjë një lexim politik e ideologjik kësaj Nxitjeje të Papës Benedikti XVI….?
 Përgjigje: - Sigurisht që do t’ia bëjë, por edhe në këtë rast, ne duhet të sqarojmë së bashku me Atin e Shenjtë, se nuk duam t’i imponojmë shoqërisë kurrfarë vizioni. Ne e çojmë në shoqëri vizionin tonë. E kemi për detyrë ta çojmë në gjirin e shoqërisë këtë mendim kaq të lartë. Nuk mund ta tradhtojmë vetveten e sidomos, nuk do të tregonim dashurinë e duhur për shoqërinë, në se nuk do t’ia çonim mendimin e lartë të Kishës, i cili më pas nxit jo vetëm përparimin e Kishës, por edhe të mbarë shoqërisë drejt vizionit të një humaniteti sigurisht më pak barbar e më pak të pazhvilluar seç ishte më parë. E për këtë është dëshmitare mbarë historia e njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.