Përkujtojmë 127 vjetorin e lindjes së prof. Aleksandër Xhuvanit.
(14.03.2007 RV)Lindi në Elbasan më 14 mars 1880 në një familje të njohur për
kontributin kombëtar e kulturor. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet, në
Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe edhe u diplomua.
Është një nga pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare. Veprimtarinë e nisi
si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t'u kthyer më pas në
Shqipëri, ku filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit. Qe anëtar i Komisisë Letrare
të Shkodrës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, anëtar i Institutit
për Studime Shqiptare, dekan i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Institutit
të Studimeve, anëtar i redaksisë së Buletinit të Shkencave Shoqërore. Në kulmin e
veprimtarisë si gjuhëtar e pedagog, Universiteti Shtetëror i Tiranës i dha titullin
Profesor Doktor honoris causa. Që nga viti 1905, kur botoi artikullin e parë në
revistën "Albania" të Faik Konicës e deri në fund të jetës, vijoi shkrimet publicistike,
gjuhësore, pedagogjike dhe letrare. Për një farë kohe drejtoi organin e Elbasanit
"Kopshti letrar"; më pas botoi shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve '30.
La një trashëgim të çmuar veprash gjuhësore, pedagogjike, teoriko-letrare. Po kujtojmë
disa prej tyre: "Libri i gjuhës shqipe" 1924; "Njohuritë e para të sintaksës
shqipe" 1925; "Fillimet e pedagogjisë didaktike" 1926; "Pestaloci" 1927; "Fillime
të stilistikës dhe të letërsisë së përgjithshme (me Kostaq Cipon) 1930; "Fillimet
e psikologjisë 1933 etj. Me studimin e jetës së tij janë marrë Bardhyl Graceni
në monografinë "Aleksandër Xhuvani: jeta, vepra" Tiranë 1980 dhe Hajrullah Koliqi
në monografinë "Aleksandër Xhuvani". Po të krahasojmë shkrimet e para, që na zbulojnë
bindjet e tij të formuara, e shkrimet më të vona, do të vërejmë menjëherë se edhe
ai, pavarësisht nga rrethanat, që e shpëtuan nga prangat dhe i krijuan kushte të favorshme
pune, duhet ta ketë ndjerë thellë në shpirt peshën e tmerrshme të diktaturës, që për
njerëz si ai donte të thoshte vdekje e mendimit të lirë e e krijimtarisë së lirë.
Këtë e dëshmon fakti se miqtë më të mirë i pat në radhët e intelektualëve me formin
përendimor, ndërmjet të cilëve, me gjuhëtarin e madh të panjohur, Atë Viktor Volajn,
asokohe Rektor i kishës françeskane në Tiranë, me të cilin takohej rregullisht për
të diskutuar mbi probleme gjuhësore e letrare, ndonëse asokohe takimet me një frat
mund të konsideroheshin veprimtari armiqësore. Falë Profesor Xhuvanit, Atë Viktori
vijoi, fshehurazi e pa emër, bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave duke dhënë një
kontribut të madh për Fjalorin e shqipes. Mjafton të kujtojmë këtu fjalimim që
Xhuvanit mbajti mbi vorr të Atë Gjergj Fishtës, për të treguar qartë vlerësimin e
e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Kangëtarit të Lahutës: “Si
vetimë u përhap an' e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t'onë Kombëtar,
At Gjergj Fishtës dhe e mahnitun mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin
zamadh të autorit të "Lahutës së Malcisë" që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e
besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë.
E me të drejtë i kan thënë Fishtës "Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë
e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e "Lahutës", odet dhe
elegjitë e "Mrizit të Zanave" e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë
sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale:
Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë
qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s'ka kush tjetër
veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë
e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës
ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e
ka edukue zemrën e saj". Prof. Aleksandër Xhuvani vdiq më 2 nëntor 1961.