2007-03-13 20:05:49

U paraqit sot Nxitja Apostolike pas-sinodale e Benediktit XVI mbi Eukaristinë “Sacramentum Caritatis”.


(13.03.2007 RV)Siç e tregon titulli, Nxitja i kushtohet Eukaristisë, burim e kulm i jetës dhe i misionit të Kishës. Dokumenti papnor përmbledh të dhënat e Sinodit të fundit të Ipeshkvijve mbajtur në tetor 2005, kushtuar misterit eukaristik.
“Në të Shenjtnueshmem Eukaristi, Sakrament i Dashurisë, Jezusi na dhuron vetveten, duke dëftuar dashurinë e pafundme të Zotit për çdo njeri”. Fillon kështu Nxitja e parë Apostolike e papnisë së Benediktit XVI. Papa nënvizon se Kisha gjen tek Eukaristia qendrën e saj jetike, duke u impenjuar vazhdimisht t’u kumtojë të gjithëve, në raste të përshtatshme e të papërshtatshme, se Zoti është dashuri. Përsa i përket ritit eukaristik, Dokumenti ripohon se liturgjia e rishikuar nga Koncili II i Vatikanit, pavarësisht nga disa shpërdorime, është e vlefshme. Por – pohon Papa – duhet që ndryshimet konciliare të lexohen sipas të ashtuquajturës ‘hermeneutikë e vazhdimësisë’ dmth në vazhdimësi të të gjithë traditës kishtare, nga tekstet e vjetra, tek të rejat, pa ndërprerje artificiale.
Eukaristia – lexojmë në Nxitje – është realitet që kapërcen çdo kufi të mendjes njerëzore: në këtë sakrament Jezusi nuk na dhuron ndonjë gjë, por vetveten; na dhuron Korpin e vet e derdh Gjakun e vet. Është një dhuratë që na bëhet absolutisht falas, në sajë të së cilës hyjmë në lidhje të ngushta me Zotin. Papa nënvizon me forcë novitetin e thellë të kultit të krishterë në krahasim me darkën e lashtë flijuese hebraike. Për ne të krishterët – shpjegon Benedikti XVI – kjo darkë nuk është më e nevojshme të përsëritet, sepse ajo që kumtonte realitetet e ardhshme, tani i lë vendin vetë së vërtetës. Riti i lashtë është përmbushur e kapërcyer përfundimisht përmes dhuratës së dashurisë së Birit të mishëruar të Hyjit. Në Eukaristi Jezusi “na tërheq brënda vetes”, duke na përfshirë në dinamikën e dhurimit të Tij: është ndryshim rrënjësor i cili, si një lloj zbërthimi bërthamor në thellësi të shpirtit, shkakton procesin e shndërrimit të realitetit, që në fund të fundit çon në shndërrimin e mbarë botës, duke bërë që Zoti të jetë gjithçka për të gjithë.
Dokumenti vë në dukje se vetë Krishti, me flijimin e tij në Kryq, lindi Kishën, si nusen e si korpin e tij: prandaj misteri eukaristik thellon vetëdijen se Krishti e Kisha janë të pandashëm. Mbi bazën e kësaj së vërtete ngrihet edhe dialogu ekumenik, me vetëdijen se të krishterët jo katolikë nuk mund të marrin pjesë në Eukaristi, përveçse në situata të caktuara e të jashtzakonshme.
Në këndvështrimin baritor, Papa i fton famullitë t’i kushtojnë vëmendje të veçantë Kungimit të parë, çast vendimtar jo vetëm për atë që merr për herë të parë Krishtin në zemër, por për të gjithë familjen. Edhe përdorimi i ndjesëve – vijon Ati i Shenjtë – na ndihmon të kuptojmë se me forcat tona nuk jemi kurrë në gjendje ta ndreqim të keqen që kemi bërë.
Ati i Shenjtë nënvizon se shugurimi meshtarak është kusht i domosdoshëm për kremtimin e vlefshëm të Eukaristisë e njëkohësisht i nxit meshtarët të fitojnë vetëdijen se në ushtrimin e meshtarisë nuk duhet të venë kurrë në plan të parë vetveten ose opinionet e tyre, por Jezu Krishtin. Më pas ripohon me forcë domethënien e çelibatit meshtarak, që duhet kuptuar si përpjekje për të ndjekur stilin e jetës së Krishtit, duke iu kushtuar krejtësisht Zotit, Kishës e Mbretërisë së Hyjit: prandaj çelibati është i domosdoshëm për traditën latine.
Përsa i përket lidhjes së Eukaristisë me pazgjidhshmërinë e martesës, Papa shpjegon se martesa është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me unitetin eukaristik ndërmjet Krishtit dhëndër e Kishës nuse, por Shenjtëria e tij kërkon t’i kushtohet vëmendje e posaçme edhe situatës së dhimbshme të të divorcuarve të rimartuar: problem i ndërlikuar ky, që duhet përballuar me dashuri e në vërtetësi.
Benedikti XVI porosit t’i kushtohet vëmendje e madhe bukurisë së liturgjisë, sepse pikërisht përmes saj dashuria e Krishtit na pushton, na mahnit, na rrëmben. Në dokument theksohet se liturgjia eukaristike nuk mund të kremtohet sipas qejfit, as sipas modave të çastit, por duke i qëndruar besnikë normave liturgjike në tërësinë e tyre.
Vëmendje i duhet kushtuar edhe këngës liturgjike, duke shmangur hyrjen e gjinive muzikore që nuk e respektojnë kuptimin e liturgjisë e duke vlerësuar kryesisht këngën gregoriane.
Në vijim Papa flet për nevojën e përmirësimit të cilësisë së homelisë, që nuk duhet të jetë e përgjithshme, as abstrakte; për shpalljen e Fjalës së Zotit nga ana e lexuesve, që duhet të jenë shumë të përgatitur si dhe për çastin e shkëmbimit të shenjës së paqes. Kjo shenjë merr një rëndësi të veçantë në kohën tonë të ngarkuar me konflikte. Por, vëren Ati i Shenjtë, një shenjë e tillë do të ishte mirë të shkëmbehej në një çast tjetër të Meshës, për të mos shkaktuar pështjellim pikërisht para Kungimit. Propozon, prandaj, të zhvendoset përpara paraqitjes së dhuratave në elter.
Përsa i përket pjesëmarrjes aktive të laikëve në kremtim, dokumenti thekson se disa porosi konciliare janë keqkuptuar: kur flitet për pjesëmarrje, kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me veprimtari të jashtme, por me vetëdijen e misterit që kremtohet dhe të lidhjes së tij të ngushtë me jetën e përditshme. Mbetet, pastaj, i pandryshueshëm fakti se është meshtari ai që duhet ta kryesojë, në mënyrë të pazëvendësueshme, gjithë kremtimin eukaristik, që nga përshëndetja fillestare e deri tek bekimi përfundimtar.
Papa kërkon me forcë asistencën shpirtërore të të burgosurve, të të sëmurëve e të njerëzve me të meta fizike e mendore, duke u krijuar kushtet arkitektonike të hyjnë pa pengesë në të gjitha Kishat e edhe të kungohen, kur janë të pagëzuar e të krezmuar.
Në Dokument Benedikti XVI flet edhe për mundësinë e përdorimit të latinishtes në takimet e mëdha ndërkombëtare, duke pasur parasysh se latinishtja e shpreh më mirë universalitetin e Kishës. Prandaj Papa kërkon që meshtarët e ardhshëm të përgatiten për ta kremtuar Meshën në latinisht e që besimtarët t’i mësojnë lutjet kryesore në këtë gjuhë.
E diela – lexohet në Dokument – është Dita e Zotit e njeriu nuk duhet ta kthejë në ditë pune, dmth idhujtarie.
Benedikti XVI i fton të gjithë ta jetojnë thellësisht misterin eukaristik, përmes të cilit Zoti na do e na fton t’i duam edhe të tjerët. I krishteri është i thirrur ta dëshmojë konkretisht në planin shoqëror e politik dashurinë e Krishtit, të bëhet ‘bukë e thyer’ për të tjerët e të impenjohet për një botë më të drejtë e më vëllazërore, duke denoncuar shkandullin e urisë, dramën e refugjatëve dhe thellimin e hendekut ndërmjet të varfërve të pasurve për shkak të disa proceseve të globalizimit. Papa u bën thirrje edhe politikanëve për koherencë eukaristike, duke i nxitur të mbështesin ligjet që respektojnë vlerat themelore, si jeta njerëzore nga zënia në vdekjen natyrore; familja e bazuar mbi martesën ndërmjet burrit e gruas; liria e shkollimit të fëmijëve dhe promovimi i së mirës së përbashkët në të gjitha format e saj. Të tilla vlera –thekson me forcë Papa, nuk mund të vihen në diskutim.
Më pas mendimi i Atit të Shenjtë shkon tek të krishterët që akoma sot vuajnë për shkak të mungesës së lirisë fetare, që japin dëshmi heroike vetëm duke shkuar në Kishë, sepse ndjekja e Kishës ka si pasojë përjashtimin nga radhët e shoqërisë ose ushtrimin e dhunës.Së fundi Papa njofton se do të botohet një Përmbledhje eukaristike për kuptimin e saktë, kremtimin dhe adhurimin e Sakramentit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.