2007-03-13 20:06:01

Papa priti në audiencë presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin: komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit.


(13.03.2007 RV)Presidenti rus Putin arriti në Vatikan pak para orës 18. Shoqërohej nga 14 zyrtarë të lartë të Federatës Ruse. Për ta pritur, në oborrin e Shën Damasit kishin dalë prefekti i Shtëpisë Papnore, Xhejms Harvei dhe një skuadër nderi e Rojës papnore zvicerane. Bisedimet, zhvilluar në gjuhën gjermane në Bibliotekën private të Pallatit Apostolik, zgjatën rreth 25 minuta.
Në deklaratën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë shkruhet: “Sot pasdite, 13 mars 2007, Ati i Shenjtë Benedikti XVI priti në audiencë Shkelqësinë e Tij, zotin Vladimir Putin, President i Federatës Ruse. Njëkohësisht, në Sekretarinë e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, u takua me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe me delegacionin që shoqëronte Presidentin. I pranishëm edhe sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, Imzot Dominik Mamberti.
Bisedimet, zhvilluar në një atmosferë shumë pozitive, krijuan mundësitë për të vënë në dukje marrëdhëniet e përzemërta që ekzistojnë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Federatës Ruse si dhe vullnetin e mirë për t’i çuar më tej këto marrëdhënie edhe me nisma të karakterit kulturor. Në këtë kuadër u shqyrtuan disa tema me interes dypalësh lidhur me marëdhëniet ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse dhe u analizuan çështje të aktualitetit ndërkombëtar, posaçërisht lidhur me Lindjen e Mesme. Nuk mungoi edhe vëmendja kushtuar problemeve të ekstremizmit dhe të intolerancës, që kërcënojnë rëndë bashkëjetesën civile ndërmjet Kombeve, duke nënvizuar nevojën për ruajtjen e paqes dhe favorizimin e zgjidhjeve paqësore të konflikteve me rrugën e bisedimeve”.
Pastaj, sipas traditës, shkëmbimi i dhuratave: Presidenti rus i dhuroi Papës një ikonë të Shën Nëkollit, punuar sipas metodës tradicionale të shkollës së Palehut në të cilën Shenjti paraqitet duke bekuar me dorën e djathtë, në sa në të majtën mban Ungjillin.







All the contents on this site are copyrighted ©.