Shenjti i ditës: ‘Shën Maksimiliani i Tebesës, martir’.
(12.03.2007 RV)Nga rrëfimi “Mbi martirizimin e Shën Maksimilianit”, mësojmë
se Shenjti pësoi mundimet më 12 mars të vitit 295 nën konsullatën e Tuskos e të Anulinos,
në Tebesë, pranë Kartagjenës. Ishte bir i veteranit Fabio Viktori e, sipas ligjeve
të kohës, duhet të ndiqte karrierën e të jatit. Por djaloshi i krishterë nuk e pranoi
këtë rrugë, ndonëse ishte plotësisht i aftë për shërbimin ushtarak. U detyrua të shkonte
në For e të paraqitej para prokonsullit Dioni, i cili e pyeti për arsyet e mospranimit
të karrierës së lavdishme që e priste. U përgjigj me vendosmëri: “Nuk më lejohet të
bëj shërbim ushtarak, sepse jam i krishterë”. E kjo, për dy arsye. Së pari, sepse
hyrja në shërbimin ushtarak paraprihej nga një akt kulti kushtuar idhujve; së dyti,
sepse kërkonte kryerjen e akteve të dhunës. U bë kështu i pari i krishterë që nuk
pranoi të shërbente nën armën që vret, për arsye ndërgjegjeje, në emër të Krishtit.
Kështu, duke dëgjuar zërin e ndërgjegjes, ai që refuzoi të përdote armën, vdiq nga
arma. Ishte vetëm 21 vjeç. Para se të martirizohej, ia fali një ushtari romak uniformën
e re, që i jati ia kishte përgatitur për shërbimin ushtrak. Trupi i tij i martiriziuar
u mbart nga një matronë romake e u varros pranë varrit të Shën Çiprijanit.