Përkujtojmë sot 15 vjetorin e vdekjes së Martin Camajt, Poetit në kërkim të Atdheut,
që vijon t’i mohohet.
(12.03.2007 RV)Poeti i ri ëndërrimtar, i lindur më 21 korrik 1925 në Temal
të Dukagjinit, në vitin 1948 u arratis nga Shqipëria për t’i shpëtuar ferrit komunist.
Më vonë, duke u endur nga Beogradi në Romë, nga Roma në Mynih, do të kuptonte se ai
mund të shkonte kudo, me përjashtim të vendit të vet, ku nuk po kthehet as i vdekur.
Ishte nxënës i jezuitëve, gjë që përcaktoi për gjithë jetën orientimin e tij kulturor
e intelektual. U bë kështu vazhduesi më i denjë i veprës së autorëve të letërsisë
shqipe në gegnisht nga Budi tek Mjeda e Koliqi, ndoshta i vetmi autor modern shqiptar
i denjë për të vazhduar trashëgiminë e tyre të ndritur. Emri Martin Camaj na
kujton veprën e tij gjeniale, që nis vëllimin poetik “Një fyell ndër male”, botuar
më 1953 në Prishtinë e vijon me botimet në revistën “Shêjzat” (1957-1975), me vëllimet
“Legjenda” (Romë, 1964), “Lirika mes dy moteve” dhe “Njeriu me vete e me të tjerë”,
(Mynih 1967 e 1978), romanet “Djella” (1964) “Dranja”(1981) “Shkundullima”(1981)
Rrathë (1981) dhe “Karpa”(1987) si dhe antologjinë “Këngë shqiptare” ( Düsseldorf
1974). Camaj është edhe një ndër albanologët më të shquar, kryesisht me punimet
e tij mbi gjuhën shqipe, historinë dhe të sotmen e saj. Ndër studimet kryesore mund
të përmenden: “Meshari i Gjon Buzukut” (Romë, 1960); “Tekst mësimor i gjuhës shqipe”
( Wiesbaden, 1969); “E folmja shqipe në provincën e Avelinos” ( Firence 1971) e sidomos,
“Gramatika shqipe” ( Wiesbaden 1984). Martin Camaj vdiq më 12 mars të vitit 1992
në Lenggries të Bavarisë. Fjalët e fundit të poetit ishin: “Të dashun miq e vëllazën
shqiptarë, intelektualë…gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time:
ky vlerësim na afron. Bâtë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë
për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”. Studiuesi më i njohur
i Camajt është Hans-Joachim Lanksch. Po e kujtojmë sot, në 15 vjetorin e vdekjes,
me poezinë “Elegji e Parë”:Kur kam me qenë i këputun nga mundi
i vjetve të rrëpita sa 'i shkamb, mos të vijë keq ty, Taze, për mue të
shtrimë mbi drrasat e vdekjes, kingj i gatuem për flije. Leni
plakat të qajnë mbi mue at ditë për njerzit e vet, vdekë qysh kur. Edhe
një amanet, moj grue: kur vdiq im atë, premë dy qe me ngimun të
unshmit e thneglat e lamit me grimca buke. Por unë do të vdes
mes njerzve gjithmonë të ngishëm, prandej ndër drekët e mija qitni
vetëm kafe të idhta. Martin
Camaj