2007-03-12 18:19:30

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa theksoi se kthimi tek Zoti e shpëton njeriun e shoqërinë dhe i ndihmon t’i bëjnë ballë fatkeqësive.


(12.03.2007 RV)RealAudioMP3 Njerëzimi i të gjitha kohërave ka nevojë të kthehet tek Zoti, sepse pendesa e shkul të keqen nga rrënjët dhe i krijon njeriut e shoqërisë kushtet për t’u përmirësuar e për të shpresuar. Ndërsa njerëzit dhe shoqëritë që nuk e venë kurrë në diskutim vetveten, kanë një fat të vetëm: rrenimin. Me këto fjalë iu drejtua Benedikti XVI në Lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot rreth 60 mijë besimtarëve, mbledhur në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit për t’u lutur së bashku me Shenjtërinë e Tij.
Të pendohesh me gjithë zemër nuk do të thotë të shpëtosh nga e keqja, por ta përballosh atë në mënyrë që fatkeqësia të shmanget, ose të mundet me të mirë: e edhe në se pasojat e së keqes nuk mund të mënjanohen, nga pendesa buron gjithnjë paqja e shpirtit. Prandaj mund të themi se kthimi në rrugën e Zotit është akt realizmi, jo moralizmi – ky është mësimi që buron nga Ungjilli i së Dielës së tretë të Krezhmëve, të cilin Benedikti XVI ua propozoi besimtarëve në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Në bazë të kësaj faqeje ungjillore kemi dy fakte kronike – kujtoi Papa: një kryengritje të galilejve, mbytur në gjak nga Pilati dhe shembjen e një kulle në Jeruzalem, që shkakton vdekjen e 18 vetëve. Jezusi, duke komentuar këto fakte, e përmbys mendësinë e kohës, sipas së cilës çdo lloj fatkeqësie, aksidentale ose e shkaktuar nga dora e njeriut, mbahej si pasojë e drejtpërdrejtë e një faji të rëndë vetjak. Galilejtë e vdekur në të dy rrethanat dramatike, nuk janë më fajtorë se të tjerët – vëren Jezusi, i cili pastaj përfundon në mënyrë të pakundërshtueshme: “Por në se ju nuk do të pendoheni, do të sharroni të gjithë në të njëjtën mënyrë”.
Ja, pra, pika ku Jezusi don t’i çojë dëgjuesit: nevoja e pendimit. Nuk e propozon me terma moralistike, por realistike, si përgjigja e vetme e përshtatshme për ndodhitë që i vënë në krizë siguritë njerëzore. Përballë disa lloj fatkeqësish – vëren Zoti – nuk ia vlen ta shkarkosh fajin mbi viktimat. Urtia e vërtetë të bind se jeta është e përkohshme e të shtyn të pranosh përgjegjësitë tuaja: të bësh pendesë e ta përmirësosh jetën”.
Kjo është urtia e kjo, përgjigja më e mirë që mund t’i japim së keqes në të gjitha shfaqjet e saj, ndërpersonale, shoqërore e ndërkombëtare – pohoi Benedikti XVI, e më pas shpjegoi se personat e shoqëritë që nuk e venë kurrë në diskutim vetveten, në fund të fundit kanë një fat të vetëm: rrenimin. Ndërsa pendimi – vërejti Papa:
“Ndonëse nuk të mbron nga problemet e nga fatkeqësitë, të ndihmon t’i përballosh në mënyrë të ndryshme. Mbi të gjitha, të ndihmon ta shmangësh të keqen, duke i bërë të parrezikshme disa nga kërcënimet e saj. E, në të gjitha rastet, të krijon mundësitë ta mundësh të keqen me të mirë; edhe në se nuk fiton faktikisht – sepse faktet nganjëherë nuk varen nga vullneti ynë - shpirtërisht me siguri del i fituar. Si përfundim: kthimi tek Zoti e shkul të keqen nga rrënja, që është mëkati, ndonëse jo gjithnjë mund të shmangë edhe pasojat”.
Duhet një rrëmim serioz i ndërgjegjes – këmbënguli Benedikti XVI – e njëkohësisht, një impenjim për ta pastruar jetën.
E pasi tha lutjen e Engjëllit të Tënzot, para e të përshëndeste në pesë gjuhë të ndryshme besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa iu lut Zojës së Bekuar të na ndihmojë të rizbulojmë “bukurinë e kthimit te Zoti”:“Na ndihmoftë të kuptojmë se të bësh pendesë e ta qortosh sjelljen tënde nuk është thjeshtë moralizëm, por është rruga më e suksesshme që ta ndryshosh për mirë vetveten e shoqërinë. E këtë e shpreh mrekullisht një fjalë e urtë: “Më mirë të ndezësh një shkrepse, se të rrish duke mallkuar errësirën!”







All the contents on this site are copyrighted ©.