2007-03-12 18:39:28

Lajme nga bota.


(12.02.07 RV)Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush deklaroi mbrëmë në Bogota të Kolumbisë, ku ndodhej për vizitë se Irani dhe Siria duhet të ndalojnë furnizimin me armë dhe njerëz për Irakun, nëse duan të marrin pjesë në procesin e paqes për këtë vend. Këto komente erdhën menjëherë pas përfundimit të konferencës ndërkombëtare për sigurinë e Irakut, e cila u mbyll të shtunën në Bagdad. Aktualisht presidenti Bush është në Guatemalë. Me këtë vend, përfundon turneu i tij në Amerikën Latine.


Presidenti francez, Zhak Shirak nuk do të konkurojë për mandatin e tretë presidencial në zgjedhjet e majit. Ai vetë deklaroi mbrëmë se ka ardhur koha t’u shërbejë francezëve me mënyra të tjera. 74 vjeçar, për 12 vjet president i Francës, Shirak ka pasur detyra të rëndësishme qeveritare në karrierën e tij 40 vjeçare.


Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut ka akuzuar sot qeverinë e Sudanit për pjesëmarrje në krimet e luftës në rajonin Darfur të këtij vendi. Në raportin e një misioni të Këshillit në Darfur, theksohet se qeveria jo vetëm dështoi në mbrojtjen e popullatës nga dhuna e milicive Xhanxhuvi, por mori pjesë aktive në dhunën kundër civilëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.