2007-03-11 16:40:20

Mijëra të rinj nga Evropa dhe Azia u luten me Benediktin XVI me rastin e Ditës V evropiane të universitarëve.


(11.03.2007 RV)RealAudioMP3 “Të dashur të rinj të Tiranës, ju ftoj të jeni protagonistë të Shqipërisë së re, duke u ushqyer prej rrënjëve të krishtera të Evropës!”
RealAudioMP3 Po e hapim programin e së dielës me këtë përshëndetje të Benediktit XVI drejtuar të rinjve, mbledhur në katedralen e Shën Palit në Tiranë, të lidhur drejtpërdrejtë me Vatikanin, ku dje pasdite u kremtua mbrëmja mariane e lutjes, me rastin e Ditës V evropiane të universitarëve.
Bamirësia intelektuale: rrugë për një bashkëpunim të ri ndërmjet Evropës e Azisë”- kjo ishte tema takimit që u mbajt në Sallën e Palit VI, mbushur plot me studentë, lidhur në videokonferencë me 11 qytete evropiane e aziatike, ndërmjet të cilave, Tirana e Kalkuta. Të rinjtë thanë Rruzaren Shenjte dhe medituan së bashku me Papën për bamirësinë e dashurinë intelektuale, si mjet i vëllazërimit universal.
Italia, Evropa e Azia; Vatikani e Tirana - të lidhur përmes dashurisë intelektuale, përmes “kësaj force të jashtzakonshme të shpirtit njerëzor” – siç e përkufizoi Papa – që i bashkon breznitë të reja në rrugën e ndritur të shkollimit. Dhe ishin të shumtë studentët universitarë në Sallën e Palit VI, të pranishëm fizikisht e virtualisht, falë lidhjeve me rrugë sateliti. Një rrjet komunikimi, që është shenjë shprese - nënvizoi Ati i Shenjtë, sepse krijon kushte për agapen apo gostinë e mendjeve:
“Më globalisht, bamirësia intelektuale mund ta bëjë një - rrugën ekzistenciale ku ecin të rinjtë të cilët, ndonëse larg njëri-tjetrit, ndjehen të bashkuar në planin e kërkimit të jetës shpirtërore e të dëshmisë”.
Më pas, duke folur jashtë tekstit zyrtar, Papa shtoi:
“Ndoshta duhet të shkruaj një kapitull të ri të Enciklikës sime ‘Deus Caritas est’, kushtuar dashurisë intelektuale”.
I ndërprerë me dhjetra here nga duartrokitjet e stuhishme të studentëve, Benedikti XVI përshëndeti në gjuhë të ndryshme të gjitha qytetet që u lidhën me Sallën e Palit VI, duke bërë shaka për vështirësitë që haste në shqiptimin e fjalëve në gjuhë të panjohura, si shqipja për shembull, që për të huajtë është një nga gjuhët me shqiptim vërtetë të vështirë, gjë që vërehet edhe te përshëndetja e Atit të Shenjtë. Më pas Shenjtëria e Tij kujtoi se misteri i Kryqit nuk shkëputet nga dashuria intelektuale, por e ndriçon atë, sepse dituria e krishterë është dituri e Kryqit:
“(…) Studentët e, aq më shumë profesorët e krishterë, e shpjegojnë çdo realitet në dritën e misterit të dashurisë së Zotit, Kryqi i të cilit është zbulesa e tij më e lartë e më e plotë. Edhe një herë, të dashur të rinj, po jua besoj Kryqin e Krishtit: merreni, pushtojeni, ndiqeni! Është druri i jetës!”.
Në zgjedhjen e lutjeve të rinjtë u frymëzuan nga Nxitjet Apostolike ‘Ecclesia in Europa” dhe “Ecclesia in Asia” të Gjon Palit II, në të cilat ripohohet rëndësia që ka bashkëpunimi ndërkombëtar dhe solidariteti.
Ndër lidhjet kryesore të takimit ishte ajo me Kalkutën, ku figurja e Nënë Terezës u kujtoi të gjithëve jo vetëm Indinë e pafundme, por edhe dheun që ia fali njerëzimit Nënën e Madhe – Shqipërinë, në katedralen e kryeqytetit të së cilës do ta shikonin sërisht të Lumen në krye të vendit.
Salla e Palit VI në Vatikan u lidh disa herë me Tiranën, e kryesisht në përfundim të Rruzares shenjte, kur liturgjikisht është çasti për të thënë Litanitë. Në katedralen e Shën Palit të Kryeqytetit të Shqipërisë ishin mbledhur, për të ndjekur takimin e madh të Atit të Shenjtë me universitarët e Evropës e të Azisë, studentë, seminaristë, të rinj e të reja, rregulltarë e rregulltare. Në elter - simbolet përfaqësuese të Kishës martire katolike në Shqipëri e të Kombit shqiptar: Kryqi i Krishtit mbi sfondin e Flamurit kuq-e-zi: simbol i motos së përhershme të klerit katolik ‘për Fe e Atdhe’. Në dy anët e Kryqit, figura e madhe përfaqësuese, që i fali Kisha katolike mbarë botës: kardinali Mikel Koliqi, simbol i martirizimit të Kishës katolike, gjithnjë në emër të Krishtit dhe Zoja e Bekuar ‘Selia e Dijes’, Pajtore e universitarëve. Në këtë sfond nisën litanitë e kënduara:RealAudioMP3
Litanitë përfunduan me lutjen e kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, kryeipeshkvit të Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirditës, drejtuar Nënës së Krishtit për të gjithë shqiptarët e posaçërisht për bijtë më të mirë të Atdheut, për ata që përfaqësojë trurin e Kombit, dmth një nga aspektet më të rëndësishme të së ardhmes së tij:RealAudioMP3
Kujtojmë se me Sallën e Palit VI në Vatikan ishin të lidhur individualisht edhe mijëra studentë shqiptarë që vijojnë të përgatiten në universitetet e mbarë botës.
Mendohet të ketë rreth 25. 000 studentë shqiptarë nëpër universitetet e huaja, kryesisht në Evropë dhe në SHBA. Shifrat e sakta mungojnë. Shumë prej tyre, të joshur nga mundësi më të mira financiare dhe një standard më i lartë jetese jashtë vendit, kanë vendosur të mos kthehen në Shqipëri.
Mungesa e shifrave të sakta mbi studentët shqiptarë jashtë vendit dhe e një politike efikase në rang kombëtar mbi rikthimin e këtij kontingjenti (fenomeni i rikthimit të trurit) është një aspekt i rëndësishëm i diskutimit më të gjerë mbi fenomenin e ‘ikjes së trurit‘. Ka ardhur e ka shkuar koha për të treguar një vëmendje shumë më të madhe ndaj këtij fenomeni, jo sepse ata që studiojnë jashtë janë më të mençur sesa ata që studiojnë në vend, por sepse kthimi i studentëve të diplomuar jashtë do të shtonte numrin e të shkolluarve, si jashtë ashtu edhe brenda, gjë që do të ndikonte fuqimisht në përpjekjen për t’ia ndryshuar faqen shoqërisë shqiptare.
Së dyti, ata që studiojnë jashtë do të mbartin dhe do t’i përçojnë politikës dhe ekonomisë shqiptare jetë shpirtërore, dije, shkencë dhe teknologji nga vende të tjera, të cilat të gërshetuara me çka ekziston në vend, do t’i përshpejtojnë ritmet e zhvillimit shpirtëror, ekonomik dhe politik.
Së treti, nënshkrimi i Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit ishte hapi i parë drejt integrimit në BE, kurse kthimi i atyre mijëra studentëve që diplomohen në universitetet e Evropës do të ishte një përforcim i këtij integrimi. Këtë domethënie ka edhe ftesa e Benediktit XVI drejtuar të rinjve shqiptarë për të qenë protagonistë të Shqipërisë së re, duke u ushqyer prej rrënjëve kristiane të Evropës . Por, të rikthehemi në Vatikan, ku në përfundim të takimit, Papa i ftoi të rinjtë ta dëshmojnë forcën e Ungjillit që e shndërron jetën e njeriut. E shembulli i parë i kësaj dëshmie ishte shtegtimi sugjestiv i Kryqit nga Salla e Palit VI, në Universitetin e Zojës së ngjitur në qiell (LUMSA), stacioni i parë i shtegtimit krezhmor ndër Universitetet e botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.