2007-03-11 17:09:02

Falimentojnë bisedimet serbo-kosovare në Vjenë. Brenda marsit, plani i Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit.


(11.03.07 RV)Pas një viti negociatash, përfundoi dje në Vjenë, takimi i fundit ndërmjet serbëve dhe kosovarëve për statusin e Kosovës. I dërguari i OKB-së, Marti Ahtisari shpalli se bisedimet kanë falimentuar krejtësisht. Brenda muajit, kryenegociatori do t’ia parashtrojë planin e tij Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili ka edhe fjalën e fundit përsa i përket së ardhmes së Kosovës.
Dje u dogj pra, edhe shansi i fundit për të arritur një marrëveshje ndërmjet Beogradit e Prishtinës, paraqitur në Vjenë me delegacione të nivelit më të lartë. Për palën kosovare, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim Ceku, e për palën serbe, homologët Boris Tadiç dhe Vojisllav Koshtunica.
“Në fund të fundit – deklaroi pas bisedimeve, Marti Ahtisari – palët nuk treguan vullentin e mirë për të ndryshuar qëndrimet e tyre”. Nuk ka asnjë dyshim, shpjegoi ai, se nuk ekziston terren i përbashkët ndërmjet tyre. Delegacioni serb përsëriti se propozimi i kryenegociatorit të OKB-së mbetet “i papranueshëm në themel”, ndërsa delegacioni kosovar, pavarësisht se e pranoi atë, e përkufizoi si “një kompromis të dhimbshëm”, për faktin se nuk përmendet fjala “pavarësi”.
Menjëherë pas përfundimit të takimit në Vjenë, komisari evropian për zgjerimin, Olli Rehn, duke falenderuar Ahtisarin për punën e vështirë të negociatorit, kryer gjatë një viti bisedimesh, theksoi se “zgjidhja e të dërguarit të OKB-së është një kompromis realist… që përbën një skemë për një Kosovë të qëndrueshme, demokratike e multietnike në të ardhmen”. Rehn nënvizoi me kënaqësi “rëndësinë që i jepet në plan, mbrojtjes së të drejtave të bashkësive të ndryshme etnike, së drejtës së refugjatëve për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, mbrojtjes së vendeve kulturore dhe fetare dhe klauzolave të decentralizimit.
Serbia u largua nga Vjena me shpresën se aleatja e saj e përhershme, Rusia do të përdorë veton në Këshillin e Sigurimit, por Moska, megjithëse ka kërkuar shpesh t’u jepet kohë palëve për të arritur një marrëveshje ndërmjet tyre, nuk ka përmendur asnjëherë haptas se do t’i japë Beogradit një ndihmë të tillë në instancat ndërkombëtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.