(09.03.2007 RV)Shën Françeska Romake, bijë e një familjeje fisnike, me një
shpirt edhe më fisnik, lindi në Romë në vitin e largët 1384. Ndonëse e rrethuar nga
pasuria e luksi i familjes, ajo ndjeu që shpejt dëshirën të hynte në kuvend. Nuk mundi
ta realizonte këtë dëshirë, sepse në atë kohë për vajzën vendoste familja. E martuan,
pa e pyetur, e megjithatë, gjë që ndodhte tepër rrallë, martesa e saj qe e lumtur.
Nusja e re, 13 vjeçe, u rrethua me pasuri, dashuri, nderime, tituj fisnikërie; Zoti
e bekoi familjen e e re me tre fëmijë.Po shpejt gëzimet do të ktheheshin në dhimbje.
Françeska humbi njërin pas tjetrit, dy fëmijë. I shoqi u plagos rëndë gjatë një ndeshjeje
ndërmjet antipapës Gjoni XXIII me mbretin e Napolit, Ladislaun, i cili e pushtoi dy
herë Romën. Atëherë ajo e ktheu pallatin në strehë për të varfrit e vetveten, në nënë,
motër e bijë të atyre që s'kishin nënë, motër as bijë. Për ta zgjëruar më tej veprimtarinë
e saj, më 1425 themeloi Kongregatën e Motrave Oblate Olivetane të Shën Marisë së
Re; tri vjet pas vdekjes së bashkëshortit, bëri kushtet rregulltare e nisi të thirrej
Françeska Romake. Ndërroi jetë më 9 mars 1440. Trupi i saj u vendos në kishën e Shën
Marisë së Re, e cila më pas mori emrin e Shën Françeskës. Mbarë Roma qe e pranishme
në salikimet e asaj, që e kishte konsideruar të shenjtë që më të gjallë. Kisha e
shpalli shenjte më 1608.