2007-03-09 17:06:56

Diametralisht të kundërta qëndrimet e serbëve dhe të kosovarëve në takimin e Vjenës mbi statusin.


(09.03.07 RV)Nesër, serbët dhe kosovarët mblidhen për herë të fundit në Vjenë, në përpjekjen për të gjetur një gjuhë të përbashkët mbi planin e Ahtisarit për statusin e Kosovës. Edhe pas ndryshimeve të fundit, palët kanë mbetur në pozicione diametralisht të kundërta. Në Serbi, diskutohet më shumë se kurdoherë për qëndrimin që mund të mbajë Rusia në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tani që duket qartë se propozimi i kryenegociatorit do të përfundojë aty, pa një marrëveshje ndërmjet serbëve dhe kosovarëve. Rusia deri tani nuk ka deklaruar haptas se do të përdorë veton për Kosovën, ka sqaruar sot për agjensitë serbe të lajmeve ministri i jashtëm i Beogradit, Vuk Drashkoviq.
Ndërkaq, po nga Beogradi, ambasadori amerikan Majkëll Polt ka theksuar se SHBA-të presin që Serbia të jetë "konstruktive dhe praktike" në bisedimet e Vjenës, sepse duhet të përfaqësojë bashkësinë serbe në Kosovë, së cilës plani i Ahtisarit i jep shumë të drejta. Ambasadori britanik, Stiven Uordsuorth ka deklaruar nga ana tjetër, se pasiguria e mëtejshme e delegacionit serb mund ta shtyjë integrimin e Serbisë në Evropë.


Dy serbë të mirënjohur, njëri ultranacionalist dhe tjetri reformator, do të kujtohen të dielën dhe të hënën në Beograd. Njëri është ish-diktatori Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në Gjykatën e Hagës më 11 mars 2006 e tjetri, ish-kryeministri Zoran Xhinxhiq, i vrarë më 12 mars 2003. Armiq të papajtueshëm ndërmjet tyre, i pari i dha zjarr Ballkanit me luftrat e vazhdueshme, ndër të cilat edhe ajo në Kosovë; i dyti qe ai që e ekstradoi Millosheviçin në Hagë më 2001 e u përpoq me të gjitha forcat për integrimin e Serbisë në Evropë. Millosheviçi vdiq i akuzuar për krime lufte e genocid; Xhinxhiq mbylli sytë nga dora e një besniku të Sllobos. Partia demokratike e Xhinxhiqit, e kryesuar aktualisht nga presidenti serb Boris Tadiç ka parashikuar një seri aktivitetesh për ta kujtuar me nderime ish-kryeministrin në Beograd. Besnikët e Millosheviçit do të mblidhen 70 km larg kryeqytetit, në fshatin ku lindi ish-diktatori i Ballkanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.