2007-03-07 18:12:21

Raporti amerikan mbi të drejtat e njeriut: Shqipëria dhe Kosova.


(07.03.06 RV)Departamenti amerikan i shtetit bëri të ditur dje Raportin e tij vjetor mbi të drejtat e njeriut në botë, që i referohet vitit 2006. Përsa i përket Shqipërisë dhe Kosovës, raporti sinjalizon se në përgjithësi të drejtat e njeriut janë të respektuara, por nuk mungojnë problemet.
Përsa i përket Shqipërisë vihet në dukje se në disa zona mbetet problem korrupsioni i policisë dhe paaftësia për ta dënuar atë. Gjithashtu, kushtet e arrestimeve dhe të paraburgimit janë jashtë standarteve e shoqërohen me raste abuzimesh mbi të burgosurit. Raporti vë në dukje atmosferën e frikës dhe vrasjet për shkak të gjakmarrjes. Departamenti i shtetit denoncon dhunën dhe diskriminimin ndaj grave dhe fëmijëve, si edhe trafikun e personave. Gjithashtu, nxjerr në pah diskriminimin shoqëror ndaj homoseksualëve, romëve dhe egjiptianëve të Ballkanit, apo jevgjëve.
Në Kosovë, problemet e respektimit të të drejtave të njeriut lidhen me pakicat etnike. Më seriozet janë rastet e vrasjeve të motivuara politikisht dhe etnikisht; vrasjet dhe plagosjet nga minat e pashpërthyera; mbajtjet e gjata në paraburgim dhe mungesa e procesit gjyqësor; korrupsioni dhe ndërhyrja qeveritare në gjykata; antipatia e shoqërisë ndaj serbëve dhe ndaj Kishës Ortodokse serbe; mungesa e përparimeve në kthimin e personave të shpërngulur në shtëpitë e tyre; dhuna dhe diskriminimi ndaj grave; trafiku i personave, veçanërisht i grave dhe i vajzave për shfrytëzim seksual; abuzimi dhe diskriminimi ndaj pakicave entike; diskriminimi social ndaj personave me aftësi të kufizuara; abuzime dhe një vrasje homoseksualësh; shfrytëzimi i punës së fëmijëve.


Një projektligj në mbështetje të zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s ka mbërritur në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, paraqitur nga senatori republikan, Riçard Lugar. Në të kërkohet që NATO-ja të përfshijë sa më shpejt Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën si anëtarë të plotë të aleancës. Ky projektligj është miratuar në Komitetin për marrëdhëniet me jashtë të Senatit dhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, por tani duhet t’i nënshtrohet votimit të Senatit. Gjithashtu, duhet të miratohet edhe nga presidenti Xhorxh Bush.







All the contents on this site are copyrighted ©.