2007-03-07 17:00:29

Në audiencën e përgjithshme Benedikit XVI përuroi ciklin e ri të katekizmit kushtuar Etërve apostolikë. Sot foli për Shën Klementin Romak


(07.03.2007 RV)RealAudioMP3 Në kohët tona sfidat përballë të cilave ndodhet Kisha, janë të shumta. E pikërisht për to foli Benedikti XVI gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI e në Bazilikën e Vatikanit, në praninë e 16 mijë shtegtarëve ardhur nga më se 15 vende të ndryshme të botës. Ndërmjet tyre, ipeshkvijtë e Piemontit e të Val d’Aostës në vizitë ‘ad Limina’ si dhe grupe të shumta studentësh italianë.“Qesari nuk është gjithçka; e Vërteta e Zotit ka të drejtë të dëgjohet nga Shteti”. Në audiencën e përgjithshme Benedikti XVI shpjegoi sfidat e sotme për Kishën.
“Sigurisht sot nuk është aspak e lehtë ta dëshmosh Ungjillin”.
Sfidat kryesore për fenë e krishterë në rrethanat e sotme shoqëroro-kulturore janë si prirjet agnostike në fushën doktrinore, ashtu edhe pretekstet për pavarësi të plotë etike e morale, ndonëse populli vijon të ketë një bazë të fortë shpirtërore, që vërehet në vëmendjen ndaj kërkesave të jetës së krishterë, në nevojën shpirtërore për Zotin, në rizbulimin e dëshirës për t’u lutur, në nderimin ndaj meshtarit e misionit të tij – këtë theksoi Benedikti XVI në takimin me ipeshkvijtë piemontezë e valdostianë.
Më pas, për katekizmin e mbajtur në Sallën e Palit VI, Papa u frymëzua nga figura e Shën Klementit, ipeshkvit të Romës, pasardhësit të tretë të Shën Pjetrit, duke nisur kështu ciklin e ri kushtuar Etërve apostolikë e duke medituar posaçërisht për Letrën drejtuar Korintianëve, bashkësi e tronditur thellë nga përçarjet, ku flitej për temat aktuale – atëherë e sot – të identitetit të Kishës e të misionit të saj.
Para së gjithash – u shkruan Klementi korintianëve, në përpjekejn për t’i pajtuar – është kumtimi i gëzueshëm i hirit që shëlbon:
“Është kumtim që e mbush me gëzim jetën tonë e i jep siguri veprimtarisë sonë: Zoti na paraprin përherë me mirësinë e tij e mirësia e Zotit është gjithnjë shumë më e madhe se të gjitha mëkatet tona. Por ne duhet të impenjohemi në mënyrë koherente me dhuratën që kemi marrë e t’i përgjigjemi kumtimit të shëlbimit, duke ecur me fisnikëri e guxim në rrugën e pendimit”.
Në letër, Klementi nënvizon edhe idealin e tij për Kishën, mbledhur nga i vetmi Shpirt i hirit, që i jep frymë gjymtyrëve të ndryshme të Krishtit. Në Kishë – shpjegon Shën Klementi - të gjithë, të bashkuar në mënyrë të pandashme, janë gjymtyrë të njëri-tjetrit:
“Dallimi ndërmjet laikut e hjerarkisë nuk do të thotë kurrsesi kundërvënie, është thjeshtë lidhje organike e një trupi, e një organizmi, me funksione të ndryshme. Kisha nuk është vend pështjellimesh e anarkie, ku kushdo mund të bëjë si të dojë e kur të dojë: secili në këtë organizëm ushtron detyrën e tij, me një strukturë të mirorganizuar, sipas thirrjes që ka marrë”.
E Klementi e përfundon letrën e tij me një lutje të frymëzuar, lutja më e lashtë, pas teksteve të Besëlidhjes së Re – vërejti Ati i Shenjtë – për institucionet politike, menjëherë pas persekutimit të të krishterëve. Na rikujton kështu se duhet të lutemi për ata që na persekutojnë, ashtu si bëri Jezusi mbi Kryq. Kjo lutje – nënvizoi Papa – i prin në rrjedhë shekujsh sjelljes së të krishterëve ndaj politikës e shtetit. Duke u lutur për autoritetet, Klementi njeh ligjshmërinë e institucioneve politike e njëkohësisht shqetësohet për to, sepse dëshiron që këto institucione ta ushtrojnë pushtetin që u ka dhënë Zoti në paqe e me mëshirë. “Qesari nuk është gjithçka. Mbi të lartohet një sovranitet tjetër, zanafilla dhe thelbi i të cilit nuk janë të kësaj bote, por të botës qiellore: është kjo e Vërteta e Zotit, që kërkon edhe nga shteti të drejtën të dëgjohet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.