2007-03-06 16:16:10

“Të kumtohet me guxim e vërteta!”: mbi detyrat kryesore të mjeteve të komunikimit sot, të rikujtuara nga Benedikti XVI, po mbahet në Vatikan asambleja plenare e Këshillit Papnor të Komunikimeve shoqërore.


(06.03.2007 RV)U hap sot në Sallën e Vjetër të Sinodit, në Vatikan, mbledhja plenare e Këshillit Papnor të Komunikimeve shoqërore. Tema e takimit, që do të përfundojë të premten, më 9 mars, është: “Detyrat kryesore të mjeteve të komunikimit shoqëror për Kishën e për Këshillin tonë”. Pikërisht në mesazhin e tij për Ditën e komunikimeve shoqërore 2007, Benedikti XVI nënvizoi disa nga sfidat me të cilat duhet të ballafaqohen të gjithë punonjësit e komunikimeve. Posaçërisht Papa i ftoi mjetet e sotme të komunikimit ta ndjejnë fuqimisht përgjegjësinë e tyre, të jenë protagonistë të së vërtetës e nxitës të paqes.
Por, të ndjekim, në mikrofonin e radios sonë, një reflektim të Paolo Bustafës, drejtor i Agjensisë SIR (Shërbimi Informativ Fetar), mbi përparësitë e mjeteve katolike të komunikimit:
Përgjigje: - Dëshiroj të përgjigjem me një frazë që Benedikti XVI e shqiptoi në audiencën e 2 qershorit të kaluar me përfaqësuesit e mjeteve katolike të komunikimit, mediat e Konferencës ipeshkvnore italiane e, prej këndej, edhe të Agjensisë SIR. Fraza është: ‘Të ndërtohen ura mirëkuptimi e komunikimi ndërmjet përvojës kishtare dhe opinionit publik”. Kjo, sipas mendimit tim, është detyrë kryesore, që përfshin edhe çështjet e tjera, siç është çështja e gjuhës, e aftësive profesionale, e besueshmërisë dhe e shërbimit tonë. Prandaj mund të pohojmë se të ndërtosh ura, do të thotë pikërisht të depërtosh në thellësi të realitetit, duke kërkuar të dallosh vlerat, të njohësh idealet më të ndjera, më të vërteta, ato që i japin kuptim të plotë jetës së çdo njeriu, të çdo bashkësie, të çdo shoqërie.
Pyetje: - Kisha e Papa kumtojnë mesazhin e tyre. Por ndodh që - e mjafton të mendojmë për rastin e bujshëm të Regensburgut - mjetet e komunikimit japin një informacion të pjesshëm, për të mos thënë të manipuluar. Ç’mund të bëjnë në këtë rast mjetet katolike të komunikimit për të dhënë lajmin e saktë e të plotë?
 Përgjigje: - Nuk është aspak punë e lehtë, sepse pasi mjetet e fuqishme, të mëdha, të komunikmit e shtrembërojnë një mesazh, për neve është vërtetë e vështirë të ofrojmë elemente plotësuese më të thella, më të besueshme, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë të vërtetën mbi sa është thënë, mbi mendimin që është dhënë e mbi atë që ka folur. Megjithatë nuk është e pamundur të jesh protagonist i së vërtetës, siç porosit Papa. Detyra jonë është të depërtojmë në ndërgjegjet e njerëzve, të nxisim dëshirën për të kërkuar të vërtetën. Ky qellim mund të arrihet me aftësi tepër të larta profesionale - gjë që theksohet vazhdimisht- e me pasion për të vërtetën, dmth duke u vënë edhe ne në kërkim të së vërtetës, së bashku me të gjithë ata, të cilëve u drejtohemi.







All the contents on this site are copyrighted ©.