Më 24 mars Dita e XV në përkujtim të misonarëve martirë. Ne kujtojmë Atë Dajanin
e Faustin, Jezuitë të vrarë nga komunistët.
(06.03.07. RV) Më datën 24 mars kremtohet Dita e XV në përkujtim të misonarëve
martirë me temën “Misionarët e vrarë: shpresë për botën”. Nisma e një dite kushtuar
misionarëve martirë ka lindur më 1993 nga vepra e Lëvizjes Rinore Misionare e Veprave
Papnore Misionare italiane dhe tashmë është përhapur në shumë Vende të botës. Data
e 24 marsit është zgjedhur ajo e vrasjes së kryeipeshkëvit imzot Oscar Romero të San
Salvadorit më 24 mars 1980, e këndej që prej 15 vjetësh në këtë ditë përkujtohen edhe
të gjithë misionarët që kanë vdekur në botë. Para një bote që përherë e më tepër
ka frikë nga e ardhmja, para burrave e grave që nuk janë më të aftë ta lartësojnë
vështrimin e të shikojnë lartë dhe të ëndërrojnë, misionarët e vrarë na ftojnë të
jemi edhe më të bindur e më të fortë në fe, të besojmë se njerëzimi i ri është i mundshëm,
të shpresojmë në një të ardhme më të mirë. Kështu shkruhen në doracakun e përgatitur
për kremtimin e Ditës së XV-të të misionarëve martirë, që do të shënohen me Adhurimin
Eukaristik, Udhën e Kryqit e takime uratësh e gjeste tjera dashurie e bamirësie nëpër
bashkësi kishtare famullitare, rregulltare e lëvizje kishtare. E ne dëgjues të
nderuar do të flasim mbi vlerën e dëshmisë dhe të gjakut të martirëve shqiptarë,
sidomos ata të periudhës së regjimit ateist komunist. Do të ndalemi tek dy figurat
përvjetori i vrasjes të të cilëve ishte para dy ditësh, të dielën e kaluar më 4 mars.
E kemi fjalën për marirtët Atë Daniel Dajanin e Atë Giovanni Faustin, Jezuitë.
Mbi figurën e tyre flasim me jezuitin e ri nga Shkodra Atë Lello Lanzilin….