2007-03-05 18:01:24

Të mërkurën propozimi i ri i Ahtisarit për serbët e kosovarët.


(05.03.07 RV)Të mërkurën, pritet që kryenegociatori i OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari t’i dorëzojë propozimin e tij të rishikuar, më parë serbëve e pastaj kosovarëve. Bisedimet që përfunduan javën e kaluar në Vjenë, nuk ndryshuan qëndrimet e palëve, prandaj pritet që ndryshimet nga plani fillestar i Ahtisarit, të mos jenë të mëdha. Janë të bindur për këtë edhe vetë serbët, të cilët nëpërmjet një anëtari të delegacionit, Aleksandër Simiq, e kanë shprehur këtë mendim edhe për mediat e tyre.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian diskutuan sot në Bruksel edhe për çështjen e Kosovës. Vëmendje e veçantë iu kushtua formimit të qeverisë së re serbe, e cila akoma nuk duket në horizont.


Me qëndrimin e sotëm në Beograd, ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Daniel Frid filloi turneun e tij ballkanik. Përveç Beogradit, Frid viziton edhe Prishtinën dhe Shkupin. Para vizitës në rajon, ai ka deklaruar se asnjë zgjidhje për statusin e Kosovës nuk do të jetë ideale dhe pa rrezik, por ka shprehur bindjen se i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari do të dalë para Këshillit të Sigurimit me propozimin më të mirë të mundshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.