Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Adrianin, martir.
(05.03.2007 RV)Pësoi mundimet së bashku me Eubulin më 5 mars të vitit 309,
‘në vitin e gjashtë të persekutimit të të krishterëve’ sipas dëshmisë së Euzebit.
Pasi shkuan të dy në Çezare të Palestinës për të ndihmuar martirët e këtij qyteti,
të dy shenjtorët u zbuluan si të krishterë, u arrestuan e, si e dëshmuan pa lëkundje
fenë në Krishtin, u dënuan të shqyheshin nga egërsirat në cirkus. Sipas rrëfimit mbi
martirizimin e tij, Adriani u flak në arenë përballë një luani. Por me që bisha nuk
iu afrua fare, ndonëse e nxitën me të gjitha mjetet, iu pré koka me shpatë. Në
senasarët grekë më 7 ose 8 maj kremtohet festa e Shenjtorëve Eubuli e Gjuliani, por
pas studimeve të kohëve të fundit, është arritur në përfundimin se emri Gjulian është
shtrëmbërim i emrit Adrian. Një gjë e tillë u vërejt edhe në Martiriologun jeronimian,
në të cilin ndërmjet shenjtorëve që kujtohen më 5 mars, janë edhe Adriani e Euvoli.
Në këtë rast, për shkak të shqiptimit bizantin, tjetërsohet emri i Shën Eubulit.