2007-03-05 17:18:43

Kryeipeshkvi i ri i Varshavës, imzot Kazhimirzh Nëq thekson: Nuk mund të shlyhet e kaluara heroike e Kishës polake.


(05.03.2007 RV)Polonia priti me gëzim e lehtësim shpirtëror emërimin e kryeipeshkvit të ri të Varshavës, imzot Kazhimirzh Nëq, deri tani ipeshkëv i Kozhelin-Kolobzhok. Papa e thirri të zërë vendin e Stanisalv Vielgush, që dha dorëheqjen në janarin e kaluar, pasi pranoi se kishte bashkëpunuar me shërbimet e fshehta të regjimit të kaluar komunist.
Ja si shprehet kryeipeshkvi i ri, imzot Nëq, në mikrofonin e programit polak të radios sonë:“Që kur arrita në Kozhelin, isha i bindur se do të më duhej të ballafaqohesha me gjithë të kaluarën, si timen, ashtu edhe të meshtarëve të tjerë e të mbarë Kishës, me bindjen se e kaluara e Kishës polake është heroike. Kjo e vërtetë nuk mund të shlyhet, edhe pse në kohët e terrorit komunist, të kontrollit të tmerrshëm policor, të shkatërrimit të njeriut, realizuar në mënyra nga më të ndryshmet, pati edhe disa meshtarë që nuk ia dolën mbanesh të qëndrojnë në lartësinë e sfidës, e cila kërkonte heroizëm. Kështu, për shkak të ligështisë njerëzore, disa nisën të bashkëpunojnë ose e pësuan për shkak të bashkëpunimit. Ky është një mësim që duhet nxënë me qetësi. Për mua, verifikimi historik nga ana e Komisionit Kishtar ose Institutit të Kujtesës Kombëtare, mbi bazën e publikimeve në mjetet e komunikimit, nuk ka çuar as nuk do të çojë në zgjidhjen e problemit. Nuk mund të nxitohemi. Duhet vepruar në mënyrë ungjillore. Përndryshe do të kalojmë nga një emër tek tjetri, nga një dosje tek tjetra, e kjo do të jetë shumë negative për Kishën. Kam frikë se do të mendohet që problemi më i rëndësishëm për Kishën është të pastrohet nga e kaluara e saj. Ndërsa unë mendoj se situata duhet kapërcyer me qetësi, duke vijuar punën tonë, misionin tonë në Kishë, që është të kumtojmë Ungjillin, t’i ftojmë besimtarët të ecin në rrugën e shenjtërisë përmes sakramenteve, ta dëshmojmë konkretisht dashurinë e krishterë. Asgjë më tepër…







All the contents on this site are copyrighted ©.