2007-03-05 18:01:37

Del Ponte: Haradinaj me shokë, "gangsterë me uniformë".


(05.03.07 RV)Filloi sot në Hagë procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj, dhe ish luftëtarëve të UCK-së Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj. Në paraqitjen e saj para gjykatësve, kryeprokurorja Karla del Ponte, i ka quajtur ata “gangsterë me uniformë”, autorë të krimeve nga më të shëmtuarat kundër atyre që mendohej të ishin bashkëpunëtorë të serbëve. Të tre janë deklaruar të pafajshëm. Del Ponte theksoi se është shumë e vështirë të dalin dëshmitarë kundër tyre, pasi dëshmitarët e mundshëm janë kërcënuar me të gjitha mënyrat e mjetet.


Po sot, në stadiumin e Prishtinës ka filluar manifestimi “Epopeja e UÇK-së”, i cili zhvillohet në kuadër të 9-vjetorit të vdekjes së komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit. Manifestimi ka për qëllim të përkujtojë të gjithë dëshmorët e luftës dhe do të përfundojë më 7 mars, me “Natën e Zjarreve”. Organizohet nga TMK-ja, nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku.







All the contents on this site are copyrighted ©.