Atë Lorenc Mazreku (Mitroviq), ofm, në 135-vjetorin e lindjes.
(05.03.2007 RV)Atë Lorenc Mazreku (Mitroviç), martir i Fesë dhe i Kombit, lindi
në Janjevë, të dioqezës së Shkupit, më 5 mars 1872 në familjen e Antonit e Anastasisë
Glasnoviq Si kreu kolegjin françeskan të Troshanit, shkoi në Bosnjë për të vijuar
studimet për filozofi e teologji. Atje edhe u diplomua. Zhgunin e Shën françeskut
e veshi më 28 gusht 1886; kushtet e përkohshme i bëri më 12 prill 1988, ndërsa Meshën
e parë e çoi më 7 korrik 1894, për të filluar më 1895 shërbimin si famullitar në Pejë.
Më 1897 e gjejmë në Zllakuqan, ku ndërtoi kishën; më 1902 ndërtoi kishën dhe selinë
kishtare të Pejës. Pak kohë më pas e gjejmë në Shkodër, si i pari guardian shqiptar
i Kuvendit të Fretërve në Gjuhadol. Këtu punoi shumë për të kryer punimet e kishës
françeskane të Gjuhadolit. Në veprën me vlera të mëdha të Atë Donat Kurtit “Provinça
Françeskane Shqiptare”1 për veprimtarinë e Atë Lorencit në ndërtimin e
Kishës së Gjuhadolit, shkruhet: “Fretënt banë çmos për me mbledhë ndihmat e nevojshme.
Lypej pare e madhe. Kjo punë i kje lanë kryekrejet P. Françesk Melchiorit, që tue
pasë fitue dashuninë e nderimin prej popullit, thirrej vetëm me emnin “Pader Françeskja”.
Ky, i ndihmuem prej P. Lorenc Mitroviqit, i cilli pat shkue n’ Hungari për me kërkue
lëmoshë. Kallzohet se në këtë rasë P. Lorenci pat ble në nji antikuar një seri (gjashtë)
fuguresh të vjetra të Zojës së Shkodrës tue ikë në Gjenacan. Këto fugure kjenë ruejtë
në bibliotekë të Kuvendit të Gjuhadolit deri në vjetën 1946. Kjenë riprodhue në të
përkohshmen ‘Zani i Shna Ndout”. Në vijim, më 1906 qe sekretari i Atë Pal Dodajt,
provinçal i parë shqiptar i provinçës së Zojës Nunciatë. Si sekretar, hartoi nekrologun
e provinçës. Më 1909 u zgjodh Kustod i Provinçës dhe famullitar i Bajzës, ku themeloi
Urdhërin e Tretë të Shën Françeskut. Më 1920 shërbeu përsëri si famullitar i Pejës
ku, më 1942, themeloi Shoqninë Antoniane për edukimin e rinisë. Aty e gjetën edhe
gjermanët kur, gjatë Luftës II Botërore, hynë në Pejë. Në sajë të ndërmjetësisë së
tij, në këtë periudhë shpëtuan nga djegia dy kisha ortodokse: e patriarkanës së Pejës
dhe e Deçanit e, ajo që ka më tepër rëndësi, u shmang rreziku real i luftës vëllavrasëse
ndërmjet myslimanëve e ortodoksëve; ndërmjet shqiptarëve e malazezëve dhe serbëve.
Edhe shenjtnorja e Shëna Ndout në Gjakovë u ndërtua nën kujdesin e tij. U
dallua për zell e përkushtim fetar e kombëtar, për pasurimin e Kishave me shtatore
të reja shenjtorësh e orendi të tjera. Kudo që shërbeu, u mësoi fëmijëve të shkruanin
e të lexonin gjuhën shqipe. Si pasojë e një veprimtarie të tillë, fitoi dashurinë
e respektin e popullit, të cilit i shërbente, e njëkohësiht urrejtjen e armiqve të
Kishës e të Kombit. Në jetëshkrimin e tij të shkurtër, botuar tek “Martirizimi i Kishës
Katolike Shqiptare – 1944-1990”, shkruhet se u vra nga serbët në Pejë më 15 shkurt
1943, pasi u demaskua. Në të vërtetë, sipas dokumenteve të Urdhërit të Fretërve të
Vegjël, Atë Lorenci u vra në rrugën ndërmjet Gjakovës e Pejës. 1 Atë
Donat Kurti, “Provinça Françeskane Shqiptare”, Botime françeskane Shkodër 2003, fq.
31