2007-03-03 18:23:51

Një delegacion i Konferencës ipeshkvnore italiane viziton Tiranën.


(04.03.2007 RV)Ndonëse shekullarizimi e zakonet perëndimore ushtrojnë ndikimin e tyre dhe në Shqipëri, ndjenjat fetare ndër të rinjtë vijojnë të jenë të fuqishme. Kështu u shpreh pardje imzot Gjergj Frendo, ipeshkëv–ndihmës i Tiranë-Durrësit, gjatë takimit me delegacionin e Konferencës ipeshkvnore italiane, që po viziton Ballkanin për të promovuar “Agorën e të rinjve të Mesdheut” . Në Tiranë – shpjegoi Imzot Frendo – vijnë studentë universitarë nga e gjithë Shqipëria, jetojnë ndër konvikte e shkojnë në shtëpitë e tyre vetëm në fundjave. Por të dielën në darkë kthehen për të marrë pjesë në takimet rinore.
Për nevojat shpirtërore të të rinjve u shkëmbyen mendime edhe me drejtorin e Karitasit, Tom Prekun, i cili theksoi se është shumë e rëndësishme që shqiptarët, e sidomos të rinjtë, të kuptojnë si funksionon demokracia, sepse në Shqipëri vijon mendësia e krijuar nga diktatura. T’u mësosh të rinjve praktikat e mira, do të thotë ta shpejtosh zhvillimin dhe integrimin evropian - tha drejtori i Karitasit, i cili e vlerësoi shumë “Agorën e Mesdheut” si rast të përshtatshëm për shkëmbimin e mendimeve ndërmjet të rinjve të vendeve e të kulturave të ndryshme. Delegacioni i KII u takua edhe me nuncin apostolik në Shqipëri, Imzot Giovani Bulaitis. - Në Shqipëri mungon kleri vendas; më se 150 meshtarë humbën jetën në vitet e regjimit e sot shumica e meshtarëve janë misionarë - pohoi Imzot Bulatis – e më pas foli edhe për marrëdhëniet ndërmjet shtetit shqiptar, bashkësive fetare e sekteve, duke nënvizuar se mosnjohja e veçantive të kishave të ndryshme, çon në situata paradoksale. E këtu prelati shpjegoi se shtëpitë për të sëmurë, drejtuar nga rregulltaret, në nivel fiskal janë konsideruar si hotele, me pretekstin se fitojnë, duke mos kuptuar se në këtë rast kemi të bëjmë me një shërbim publik e jo me një aktivitet që ka për qëllim fitimin. Ekziston një marrëveshje ndërmjet Kishës e shtetit, por zbatimi i saj praktik vijon të vështirësohet nga funksionarët lokalë – shpjegoi imzot Bulaitis.








All the contents on this site are copyrighted ©.