Ushtrime shpirtërore në Vatikan: meditimet e kardinalit Bifi për misterin e Eukaristisë
në Kishë e në botë.
(02.03.2007 RV)Dita e parafundit
e ushtrimeve shpirtërore në praninë e Papës dhe të Kuries Romake. Nesër paradite do
të mbahet reflektimi i fundit i kardinalit Bifi, kryeipeshkëv nderi i Bolonjës. Meditimi
i parë i sotëm iu kushtua Zojës së Bekuar, i dyti - Eukaristisë, Kishës, Botës. Kujtojmë
se është Shën Injaci i Lojolës ai që përcaktoi metodën e ushtrimeve shpirtërore.
Por për këto ushtrime flitej shumë kohë përpara tij. Për këtë traditë na flet gjithë
historia e monakizmit, që na mëson se duke medituar për Shkrimin Shenjt e duke u lutur,
njeriu rigjen forcën shpirtërore për të vijuar udhën drejt Mbretërisë qiellore. Për
monakizmin ushtrimet shpirtërore kanë kuptimin e vetmisë e të lutjes; Shën Françesku
i vinte rëndësi të dorës së parë lutjes; në ushtrimet shpirtërore të përcaktuara nga
Shën Injaci ka shumë peshë meditimi, ndërsa ndër karmelitanë, kundrimi. Janë mënyra
të ndryshme, por të çojnë në të njëjtin cak: të ndihmojnë të bësh kthesën e madhe,
të gjesh në fjalën e Zotit, limfën për jetën tënde shpirtërore! Por, të dëgjojmë
françeskanin kapuçin italian, Gjonluigji Pasquale, i cili na flet për metodën françeskane
të ushtrimeve shpirtërore: Përgjigje:
- Mund të pohojmë, sigurisht, se Shën Françesku përcaktoi metodën tipikisht françeskane
të lutjes së heshtur të përditshme e, mbi të gjitha, kundrimin eremitik të Jesuzit
të kryqëzuar, si në kryqin prej druri, ashtu edhe ndër të varfër. Sipas mënyrë françeskane,
këshillohet që ushtrimet shpirtërore të ndiqen së paku një javë në vit. Është fjala
për t’u shkëputur nga çdo lidhje me mjetet e komunikimit e për t’u lidhur ngusht,
në heshtje të thellë, me Zotin e me me natyrën. Pyetje: - Në shoqërinë
e sotme vrapojmë gjithë ditën, duke rrezikuar t’i banalizojmë edhe gjërat më të rëndësishme:
si mund t’ia dalim mbanesh të ndalohemi çdo ditë për një çast lutjeje e meditimi? Përgjigje:
- Është fare e thjeshtë: duhet t’i kushtojmë së paku pesë minuta lutjes sapo të zgjohemi
e para se të biem për të fjetur: duhet të vlerësojmë si ushtrim shpirtëror edhe kohën
kur dialogojmë me miqtë, në sytë e të cilëve ndrin drita e syve të Krishtit.