2007-03-02 18:30:54

Të mërkurën e ardhshme Benedikti XVI do të presë kryeparlamentarin e Kosovës, zotin Kolë Berisha.


(02.03.2007 RV)Të mërkurën e ardhshme kryetari i Parlamentit të Kosovës, zoti Kolë Berisha do të vizitojë Selinë e Shenjtë. Gjatë vizitës do të takohet me Benediktin XVI.
Është vizita e dytë e kryetarit të Parlamentit të Kosovës në Vatikan. Herën e parë, nga fundi i tetorit 2006, u prit nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone. Gjatë bisedimeve, në qëndër të vëmendjes ishin situata e Kosovës, stabiliteti në vend, bashkëjetesa fetare dhe ndihmesa e bashkësive fetare, veçanërisht e bashkësisë katolike, në rindërtimin e indit të ri shoqëror pas luftës. Tani këto çështje mbeten, por situatës në Kosovë i shtohet edhe problemi themelor, ai i statusit, për të cilin vijon të punojë bashkësia ndërkombëtare, duke arritur tashmë në fazën përfundimtare.Kujtojmë edhe se kur kryetari i Parlamentit takohej me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Bertone, Kosova nuk e kishte akoma ipeshkvin e vet të ri. Pas vdekjes së imzot Sopit, Kisha në vend kryesohej nga ipeshkvi ad interim, Imzot Zef Gashi, kryeipeshkëv i Tivarit, ndërsa tani ka ipeshkvin e vet, Imzot Dod Gjergjin.







All the contents on this site are copyrighted ©.