2007-03-02 18:31:42

Thirrje e imzot Miliores në Kombet e Bashkuara për mbrojtjen e dinjitetit të grave, tepër shpesh viktima të dhunës.


(02.03.2007 RV)Bashkësia ndërkombëtare duhet ta thellojë impenjimin për të shëruar plagën e dhunës kundër grave. Për këtë foli dje imzot Çelestino Miliore, vëzhgues i Vatikanit pranë OKB-së në New Jork, në sesionin e 51-të të Komisionit mbi kushtet në të cilat jetojnë gratë. Pak ditë më parë përfaqësia papnore pranë Kombeve të Bashkuara organizoi takimin me temë “Dinjiteti njerëzor i gruas në shoqërinë bashkëkohore”: Por cilat janë pikat kyçe që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të jetesës së grave, sipas Selisë së Shenjtë? Në mikrofonin e radios sonë, Imzot Miliore:RealAudioMP3
Përgjigje: - Kanë kaluar 60 vjet që kur themeluesit e Kombeve të Bashkuara shpallën bindjen, sipas së cilës burra e gra gëzojnë të njëjtat të drejta. Asokohe asnjë vend në botë nuk u siguronte grave barazi të plotë shoqërore. Sot parimi i barazisë është universalisht i njohur. Por njëheresh me progresin e dukshëm, kanë lindur edhe sfida të reja, forma të reja të varfërisë, forma të reja veprimtarish të dëmshme shoqërore e, mbi të gjitha, kanë lindur kërcënime të reja kundër jetës dhe dinjitetit të gruas. Është plotësisht e papranueshme që, pikërisht në një epokë në të cilën flitet kaq shumë për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me gratë, të lindin forma të reja dhune e skllavërie.
Pyetje: - Komisioni mbi kushtet e gruas në sesionin e vet të 51-të, që vijon, e përqëndroi vëmendjen tek dhuna kundër vajzave të mitura. Ç’shtrirje ka ky fenomen e ç’propozon Selia e Shenjtë për ta luftuar, edhe në dritën e fjalimit që mbajtët ju?
Përgjigje: - Sigurisht statistikat janë alarmante. E dëshmojnë edhe raportet e publikuara muajt e fundit, ndërmjet të cilave edhe ky i OKB-së, që po shqyrtohet në sesionin aktual të Komisionit mbi kushtet e gruas. Sipas këndvështrimit tonë duhet të shkojmë në rrënjët e fenomenit. E të marrim vesh pse ushtrohet kjo dhunë. Kuptojmë, atëhere, se paragjykimet kundër gruas vijojnë. Gruaja vijon të konsiderohet më e ultë se burri, gjë që pastaj nxit përdorimin e forcës për zgjidhjen e problemeve të mëdha e të vogla të jetës së përditshme. Nuk ka dyshin se fenomeni duhet parë në kuadrin e të drejtave të njeriut, të drejta që duhen njohur pa asnjë mëdyshje e duhen respektuar me rreptësi ligjore.
Pyetje: - Cilat janë mjetet më efikase për promovimin e zhvillimit të gjithanshëm të gruas, posaçërisht atje ku kulturat ose kushtet ekonomike e pengojë një zhvillim të tillë?Përgjigje: - Pa dyshim që gjendja e të drejtave të njeriut dhe mekanizmat e tyre të kontrollit e bëjnë këtë të pamundur. Kësaj i duhet shtuar edhe fakti se zhvillimi i gruas nuk mund të bëhet realitet, pa u nisur nga edukimi. Është themelore, prandaj, të investohet në edukimin intelektual, njerëzor e shpirtëror të grave e, në veçanti, të të rejave.







All the contents on this site are copyrighted ©.