2007-03-02 18:30:42

Si mund ta dëshmojë Kisha misterin e Eukaristisë në botë.


(02.03.2007 RV) Me që meditimet e sotme të kardinalit Bifi gjatë ushtrimeve shpirtërore në Vatikan iu kushtuan kryesisht misterit të Eukaristisë në Kishë e në botë, ftuam në mikrofonin tonë ipeshkvin e Orvietos, imzot Giovani Skanavinon, agostinian, i cili i përgjigjet pyetjes: “Si mund ta dëshmojë Kisha misterin e Eukaristisë në botë?”. RealAudioMP3
Përgjigje: - Duhet të ishim më se profesionistë të këtij fakti, sepse gjëja më e çuditshme është se në një farë mënyre e kemi kufizuar Eukaristinë brënda kishave tona. Dua të them se për një të krishterë Eukaristia duhet të jetë përvoja që të ndihmon të hysh në thellësi të botës. Të kremtosh Eukaristinë do të thotë pikërisht të fitosh urtinë dhe aftësinë për të jetuar, për të dhuruar vetveten, për t’u bërë tharm i kësaj bote! E ne duhet ta çojmë Eukaristinë në qendër të jetës, të një jete që jetohet në zemër të botës. E kjo, sepse i krishteri nuk i përket vetvetes, apo jo? I krishteri i përket botës. Nuk është i botës, por është për botën! E vënë në qëndër të jetës, Eukaristia duhet të bëhet përsëri ushqim i veprimtarisë misionare.
Pyetje: - Ju jeni agostinian. Cilat janë tiparet themelore agostiniane të ushtrimeve shpirtërore?
Përgjigje: - Është si një ecje në kërkim, që në një fare pike arrin në takimin me të Vërtetën e që pastaj të rikthen në botën tënde të brëndshme. Prandaj ushtrimet shpirtërore – sipas Agostinit – duhet të të ndihmojnë të gjesh vetvten në takimin me Zotin. Zoti është ai që të ndihmon të gjesh vetveten, të gjesh të vërtetën e vetvetes, të jetës tënde e, pastaj, edhe mundësinë – përmes kësaj përvoje shpirtërore – ta vlerësosh Fjalën e Zotit që të ndihmon të bësh kthesë. Pendimi nuk është pasojë e përpjekjes sonë: pendim do të thotë t’ia vesh veshin Zotit, ashtu si Agostini që pikërisht kështu arriti të bëjë kthesën e madhe në jetën e tij. Në fillim edhe ai besonte se kthesa varej nga arsyetimi i tij. Pastaj zbuloi se arsyetimi ka shumë rëndësi për të arritur tek zbulimi i së vërtetës, por në fund të fundit është hiri i Hyjit, dashuria e Hyjit ajo, që të bën të ndryshosh.
Pyetje: - Si mund ta gjejmë vetveten në jetën tonë të përditshme?Përgjigje: - Duhet të bëjmë sadopak ushtrime themelore asketike: të heshtim e të reflektojmë. Kjo do të thotë të rifitojmë vlerën e meditimit, dmth të heshtjes e, në këtë heshtje – për të cilën duhet të kemi shumë kujdes të mos shndërrohet në zbraztësi - të dëgjojmë zërin e zemrës, të dëshirave tona, duke i ballafaquar me Fjalën e Zotit, që duhet dëgjuar. Është ajo që thotë Ungjilli: “Hyrë në dhomën tënde” e kjo dhomë është si zemra ime, ashtu edhe mjedisi në të cilin jetoj, që më krijon atmosferën për të dëgjuar një Zë, i cili nuk ka të bëjë fare me zërat e zakonshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.