2007-03-01 17:14:49

Themeluesi i Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, Antonio Kaseze për vendimin mbi Srebrenicën.


(01.03.07 RV)Federata e Bosnjë-Hercegovinës feston sot ditën e pavarësisë. Më 1 mars 1992, 66 për qind e popullsisë pati votuar pro pavarësisë në referendumin për këtë qëllim, të cilin e bojkotuan serbët. Pikërisht sot ndodhet në Banja Luka edhe princi i Anglisë, Karlo me të shoqen, për një vizitë në kontingjentin britanik të Euroforit, i cili do të tërhiqet nga Bosnja brenda prillit. Ndërkaq, vazhdon të shkaktojë diskutime vendimi i Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka deklaruar genocid masakrën e Srebrenicës, por nuk e ka konsideruar Serbinë fajtore për të. C’vlerë mund të ketë një vendim i tillë, jo shumë i qartë juridikisht? Në mikrofonin tonë, Antonio Kaseze, profesor italian i së drejtës ndërkombëtare dhe ish-president themelues i Gjykatës Penale ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi:
RealAudioMP3 Do të thosha se ka një vlerë me dy kuptime, është kontradiktor. Nga njëra anë, për t’i bërë qejfin Bosnjës, vendimi pohon se kemi të bëjmë me genocid, gjë që është thënë tashmë nga një Gjykatë tjetër, nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi, me vendime të ndryshme. E kjo e fundit është gjykatë penale, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është një gjykatë që merret me problemet ndërmjet shteteve. Pra, gencodi nga njëra anë, por nga ana tjetër, shteti serb nuk është përgjegjës për këtë genocid, sepse, sipas Gjykatës, nuk ka prova që Mladiq dhe gjeneralët e tjerë të Republikës serbe të Bosnjës, që urdhëruan dhe zbatuan masakrën e myslimanëve në Srebrenicë, vepronin për llogari dhe në emër të Beogradit.
Gjykata thotë diçka shumë të diskutueshme, sepse një gjykatë tjetër, gjithnjë e OKB-së, e pikërisht ajo për krimet në ish-Jugosllavi ka deklaruar ekzaktësisht të kundërtën. Sipas kësaj të fundit, Mladiqi dhe të tjerët kanë qenë të paguar, të financuar dhe të ndihmuar nga Beogradi, dhe merrnin urdhëra prej tij. Vendimi pra nuk është bindës. Ka edhe diçka tjetër jo bindëse. Vendimi thotë se Beogradi është fajtor, sepse nuk e ka parandaluar genocidin, por nuk mund të akuzohet si bashkëpunëtor në genocid. Kjo është kontradiktore, sepse nëse dikush është fajtor, pasi nuk ka parandaluar genocidin, do të thotë se është i vetëdijshëm për rrezikun e madh, që në një moment të caktuar, mund të kryhej një genocid. Më tepër: ç’ndodhi kur ky genocid u vu në zbatim? Filloi më 13 korrik 1995 e zgjati deri më 19 korrik: 6 ditë! Beogradi pra, jo vetëm ishte i vetëdijshëm për rrezikun, por e mori vesh edhe që po kryhej genocidi: si mund të thuhet që nuk është bashkëfajtor? Beogradi vazhdoi të ndihmonte Mladiqin e të tjerët.
Shkurt, është një vendim deziluzionues, kontradiktor, që kishte për qëllim t’u bënte qejfin të gjithëve, por nuk kënaqi askënd, sidomos viktimat, të mbijetuarit e Srebrenicës. Ata, sipas meje, kanë të drejtën e dëmshpërblimit, sepse kanë vuajtur shumë, si drejtpërdrejt, ashtu edhe se u janë vrarë familjarët. Është mëkat që shkoi kot ky rast.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.