2007-02-27 17:42:03

Në Vjenë, kosovarët kërkojnë decentralizim jo mbi baza etnike. Serbët protestojnë në Beograd.


(27.02.07 RV)Pas tri ditë ndërprerjesh, kanë rifilluar sot në Vjenë bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e kryenegociatorit Marti Ahtisari. Në qendër të dialogut, tema e decentralizimit, që përfshihet në propozimin e Ahtisarit. Ekipi Negociator i Kosovës ka kërkuar që decentralizimi të bëhet mbi baza jo etnike, duke përjashtuar mundësinë e krijimit të një pushteti të ndërmjetëm. Ndërsa Beogradi ka përsëritur qëndrimin se do pushtet më të madh për komunat serbe dhe lidhje të fuqishme të tyre me autoritetet në Serbi.
Ndërkaq, përpara ambasadës amerikane në Beograd, sot pasdite u zhvillua një protestë kundër planit të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara. Demonstruesit ishin shumica serbë të ardhur nga Kosova, që mbanin në duar parrulla të tipit: “Ushtria serbe në Kosovë”, “Kosova është Serbi”, “Rusi, përdore veton”. Protesta u mbështet jo vetëm nga partia e Millosheviçit, por edhe nga ajo e kryeministrit aktual Vojisllav Koshtunica, i cili është shprehur gjithnjë kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër planit të Ahtisarit.
Nga ana tjetër, Beogradi nuk heq dorë nga kërcënimet. Pasi u takua me kreun e OSBE-së, spanjollin Moratinos, presidenti serb Tadiç deklaroi se Serbia dëshiron një kompromis për çështjen e Kosovës, por nëse i imponohet një zgjidhje që nuk i pëlqen, kjo do të kishte pasoja të mëdha dhe serioze për stabilitetin në rajon.







All the contents on this site are copyrighted ©.